Sot në 25-vjetorin e luftës në fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Qirez, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se kjo masakër ka shënuar fillimin e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës.
Deputeti Haradinaj theksoi se kjo masakër mobilizoi edhe më shumë shqiptarët për luftë ndaj armikut, përcjell teve1.info
“Kjo masakër nga policia dhe ushtria serbe shënon fillimin e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës, spastrimin etnik si dhe djegien dhe shkatërrimit të pasurisë së tyre. Masakra e Likoshanit dhe Qirezit nxiti edhe më shumë rezistencën dhe mobilizoi edhe më shumë shqiptarët për luftë ndaj armikut deri në çlirim. Nderim përjetë të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar ai në Facebook.
Fillimi i luftës në Kosovë nisi në fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.
Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm. /Teve1.info/