Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se koalicioni parazgjedhor me Forumin Intelektual E30 dhe partnerët e tjerë të koalicionit, i ka dhënë vendit një alternativë serioze të cilën e presin qytetarët.
Haradinaj ka potencuar se Kosova gjendet në një pozitë të pashpresë, por që ky koalicion i ka dhënë vendit një alternativë serioze.
“Kosova gjithmonë ka pasur intelektualë që nuk qëndruan duarkryq, por ishin gjithmonë në ballë të proceseve të rëndësishme, sa herë që kishte nevojë vendi. Sot, kur Kosova gjendet në një pozitë të pashpresë, koalicioni parazgjedhor me Forumin Intelektual E30 dhe partnerët e tjerë të koalicionit, i ka dhënë vendit një alternativë serioze të cilën e presin qytetarët, të angazhuar për një Kosovë të sigurtë e të zhvilluar, të integruar në strukturat euro-atlantike e në partneritet të ngushtë me BE dhe ShBA”, ka shkruar ai në Facebook.
Më tej, ai ka thënë se para vetes kanë shumë punë, përgjegjësi e tema që kërkojnë trajtim me shumë kujdes e maturi.