Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka uruar shërim të shpejtë Elëza Ujkanit, e cila është lënduar dje nga rënia e kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës.
“Jemi me Elzën, familjen Ujkani dhe deputeten Fjolla Ujkani, në këto momente aspak të lehta për ta. Shpresojmë shumë që Elza do t’i përballojë lëndimet nga aksidenti i djeshëm dhe ndërhyrjet e mjekëve tanë profesionistë”, ka shkruar ai.
23 vjeçarja që ka pësuar lëndime nga rrëzimi i kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës, po vazhdon trajtimin në Mjekimin Intenziv Qendror (MIQ).
Për gjendjen e saj, ka folur shefi i MIQ-it, Shaqir Uka, i cili tha se ajo mbrëmë i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik për shkak të lëndimeve që ka pësuar. Si pasojë e lëndimeve, ajo ka pësuar gjakderdhje në indin trunor dhe trajtimin po e bën e fjetur me barna dhe e varur nga aparatura e frymëmarrjes.
Uka ka deklaruar se në orët në vazhdim do t’i bëhen ekzaminime shtesë për të bërë vlerësim definitiv.