Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka deklaruar se qëndrimi i kësaj partie lidhur me situatën politike në vend ka qenë i njëjtë dhe konsistent, duke kërkuar miratimin e ligjit në dy lexime për Dhomat e Specializuara në Hagë dhe arritjen e një marrëveshjeje mes partive politike për zgjedhjen e presidentit.
“Qëndrimi jonë vazhdimisht ka qenë dhe është konsistencë, rasti i presidentit është konsidencë, Kosova ka mundur me pasë presidentin dhe ka mundur me ndodhë 16 shtatori dhe ne kishim dalë me këtë iniciativë ligjore dhe këto kërkesa që i kemi sot, është konsidencë që sot është afati i fundit për me u zgjedh presidenti, ne po kërkojmë ligji me aprovua në dy leximet dhe normalisht është mirë me pas marrëveshje mes partive politike që vendi me pas president dhe mos me shkua në zgjedhje”, ka thënë Hamza në një konferencë për media.
Ai ka deklaruar se në rast se ligji nuk miratohet në leximin e dytë dhe vendi shkon në zgjedhje, PDK-ja do të veprojë brenda kornizës demokratike dhe ligjore.
“Gjitha veprimet e Partisë Demokratike të Kosovës nëse nuk votohet ligji në leximin e dytë dhe vendi nëse shkon në zgjedhje do të jenë veprime demokratike, ligjore dhe gjitha format e mundshme brenda rregullave demokratike e ligjit janë pjesë e veprimeve politike të PDK-së, nuk dua me besua dhe nuk ka nevojë që mundet me u injoruar ligjet e aprovuara, ne do të shkojmë një hap tutje. Pasojat në rast e mos zgjedhjes së presidentit do të jenë mungesa e stabilitetit politik dhe normalisht, kjo pastaj dëme të llojllojshme politike, diplomatike, ekonomike e gjithçka tjetër….PDK nuk pranon kushte, flasim me respekt e prioritete, nuk është ligji vetëm për PDK-në”, ka deklaruar ai.
Hamza ka folur edhe për ligjin për Gjykatën Speciale dhe Dhomat e Specializuara në Hagë, duke u bërë thirrje deputetëve që ta mbështesin atë.
“Ne jemi të interesuar dhe i lusim deputetët me ardhë me votua ligjin për Gjykatën Speciale për Dhomat e Specializuara në Hagë, s’ka asnjë arsye pse dje paska bë me votuar e sot spo bojka me votuar, nëse kjo ka qenë çështja për zhvillime politike dhe kualitetin politik, mendoj që me tema të tilla është gabim shumë i madh cilado parti politike me bë këso veprimesh”, ka thënë Hamza./teve1.info/









