Kryetari i sapozgjedhur i PDK-së, Bedri Hamza, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, ndër të tjera u pyet edhe për marrëdhënien me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Hamza, tha para mediave se Lladrovci e ka bërë të qartë se është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, duke shtuar se PDK mbetet e konsoliduar dhe e bashkuar në të gjitha nivelet.
“PDK është një subjekt politik i unifikuar. Edhe më herët kam theksuar se në Drenas mbështetja për PDK-në ka qenë gjithmonë e gjerë. Ka pasur raste me pak mospajtime në zgjedhjet lokale, për shkak të garave dhe kandidaturave të ndryshme brenda komunës, por në zgjedhjet qendrore PDK gjithmonë ka dalë e bashkuar”, u shpreh Hamza.
Ai theksoi se partia do të angazhohet për të rritur sa më shumë votën në këtë komunë, të cilën e konsideron njërin nga bastionet tradicionale të PDK-së.
Hamza kujtoi gjithashtu edhe takimin e fundit me Lladrovcin, duke nënvizuar deklaratën e këtij të fundit se “jam PDK”, dhe shtoi se shumica dërrmuese e qytetarëve të Drenasit identifikohen me këtë subjekt politik.




