Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të papranueshëm.
Në një intervistë në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Gucati ka thënë se kundërshtimi ndaj kësaj gjykate ka qenë i vazhdueshëm që nga themelimi i saj, duke pretenduar se vendimet e saj kanë karakter politik dhe jo juridik.
“Për neve, çdo vendim i kësaj gjykate është i gabuar. Ne e kemi ditur se kjo është një gjykatë e njëanshme dhe e padrejtë. Edhe vendimi i sotëm është i papranueshëm”, ka deklaruar Gucati.
Ai ka përmendur edhe vendimet e mëparshme ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe personave të tjerë, duke thënë se, sipas tij, Gjykata Speciale ka marrë vazhdimisht vendime politike.
“Kjo gjykatë nuk thirret në vepra apo në aktakuza. Kjo është edhe gjykatë politike. Prej 16 shtatorit e deri më sot, ajo ka marrë vetëm vendime politike, por edhe më herët ka marrë vendime të tilla për Pjetër Shalën, për mua dhe për Nasër Haradinajn”, ka thënë ai.
Gucati ka shprehur kritika edhe ndaj mënyrës së funksionimit të trupit gjykues, duke ngritur pretendime për afërsi mes gjyqtarëve dhe Prokurorisë së Specializuar.
“Ajo që më habit është se këta gjyqtarë flasin për drejtësi, kur gjyqtarët nuk kanë të drejtë të jenë në një vijë me prokurorinë. Edhe këta janë në një vijë me prokurorinë”, është shprehur Gucati.
Duke komentuar reagimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e cila paralajmëroi se do të përcjellë çdo përpjekje për të ndikuar në proceset gjyqësore, Gucati ka thënë se nuk pret qëndrime të tjera nga kjo gjykatë.
“Ne nuk presim më mirë nga kjo gjykatë. Ne presim që kjo gjykatë të arrestojë dikë, ta pengojë apo ta përcjellë dikë. Kjo gjykatë është e papranueshme për qytetarët”, ka deklaruar ai.
Ai ka kritikuar edhe vendimin për themelimin e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar votimin e saj në vitin 2015 si gabim të madh dhe duke thënë se, përveç krijimit të gjykatës, Kosovës iu dha edhe bazë kushtetuese për funksionimin e saj.
“Kur u votua, atëherë është bërë një gabim i madh. Jo vetëm që u votua kjo gjykatë, por edhe ia dhamë Kushtetutën kësaj gjykate. Tash ajo është brenda shtetit të Kosovës dhe për neve është si një e zezë mbi kokën e Kosovës”, ka thënë ai.
Në fund, Gucati ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj qëndrimeve të Prokurorisë së Specializuar dhe mënyrës se si, sipas tij, trajtohen personat që dyshohet se ndikojnë në proceset gjyqësore.
Ai ka pretenduar gjithashtu se Gjykata Speciale po vepron në funksion të interesave të Serbisë dhe Rusisë, duke përsëritur se nuk pajtohet me vendimet dhe veprimet e saj.







