Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka kritikuar kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe anëtarët e Komisionit përgjegjës për financimin e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, duke i cilësuar ata si fajtorë për situatën aktuale.
Gucati tha se ndarja e mbi 12 mijë eurove për botimin e këtij materiali ishte e papranueshme dhe se anëtarët e Komisionit, sipas tij, janë më fajtorë se vetë autori i librit, për shkak se kanë mbështetur financiarisht një veprim që, sipas tij, dëmton interesin dhe dinjitetin e popullit të Kosovës.
Ai konsideroi se kërkim falja është e pakët, përderisa kërkoi dorëheqje jo vetëm të anëtarëve të Komisionit, por edhe të vetë kryekuvendares Albulena Haxhiu.
“Për ekspozitën fajtore është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila bashkë me Komisionin, ku aty janë zyrtarët e të gjitha partive kanë ndarë paratë për realizimin. Të gjithë anëtarët e Komisionit duhet të japin dorëheqje, kërkim falje është pak, duhet dorëheqje nëse kanë pak moral dhe etikë njerëzore e politike. Albulena Haxhiu është dashur mbrëmë të jep dorëheqje për hir të situatës në të cilën është Kosova”, deklaroi ai në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.
Ai përmendi qeverinë aktuale të Albin Kurti si më përgjegjëse në momentet më kritike, duke theksuar se asnjë qeveri nuk duhet amnistuar për gabimet e saj në trajtimin e çështjeve të luftës dhe viktimave.
Gucati kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryetares Haxhiu dhe të gjithë anëtarëve të Komisionit, duke e cilësuar këtë si hap minimal për të ruajtur moralin dhe etikën politike.
“Fajtore janë edhe të gjitha qeveritë që kanë bërë shumë pak për luftën çlirimtare, për viktimat dhe për krejt luftën. Të gjitha qeveritë kanë gabuar rrugës, nuk dua të amnistojë asnjë qeveri, por kjo e Kurtit ia ka zë majën në momentet më kritike të vendit”, tha ai.






