Analisti politik Ejup Gojnovci ka vlerësuar se, pas zgjedhjes së presidentes së re të vendit dhe konsolidimit të institucioneve, politikisht më të fituara janë partitë opozitare.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Gojnovci ka renditur arsyet se përse secilin subjekt opozitar e sheh si të fituar nga ky proces.
Sipas tij, asnjëra prej partive opozitare nuk ishte e gatshme për zgjedhje të reja dhe një proces i tillë do t’i dëmtonte ato.
“Fitues është Kosova dhe qytetarët e Republikës. Mirëpo, nëse i ndajmë në rrafshin e partive politike, unë mendoj që zgjedhja e Shiroka Pulës solli një situatë shumë interesante. Në leximin tim, konsideroj që fituesit më të mëdhenj janë subjektet opozitare. Fitues janë të gjithë, mirëpo në optikën time më shumë janë partitë opozitare”, ka deklaruar Gojnovci.
Duke folur për PDK-në, ai ka thënë se kjo parti, sipas tij, nuk ishte e përgatitur për një proces të ri zgjedhor.
“Nëse e shohim PDK-në, ajo kishte humbur sensin e të qenurit subjekt politik për të shkuar në zgjedhje sërish. Unë madje s’shihja emër për të qenë bartës i listës dhe kandidati potencial për kryeministër. Për mua, kryetari Bedri Hamza, në tri palë zgjedhje, ka shënuar debakël elektoral. Përveç kësaj, në PDK vlon ende një hatërmbetje e madhe përbrenda, ndonëse nuk është shfaqur ende publikisht”, ka thënë ai.
Sa i përket LDK-së, Gojnovci ka vlerësuar se konsolidimi i institucioneve i ka dhënë kësaj partie kohë shtesë për t’u përgatitur politikisht.
“LDK-ja, si subjekti i dytë më i madh, me patjetër që i ka dhënë një frymëmarrje shtesë vetes, sepse në LDK tani ajo përplasja mes tyre nuk është më e brendshme, por është sheshazi, të gjithë e dinë. Shkuarja në zgjedhje, jam i bindur, që do ta dëmtonte historikisht si asnjëherë më parë dhe këtu fitoi LDK-ja, sepse tani edhe ajo e ka hapësirën që në katërvjeçarin e ardhshëm të kthjellohet”, ka deklaruar Gojnovci.
Ai e ka cilësuar si të favorshëm procesin edhe për Aleancën, duke marrë parasysh ndryshimet e fundit në udhëheqjen e saj.
“Konvenuese ishte edhe për Aleancën, sepse Aleanca, me një kryetar të ri, nuk e di se si do të arrinte dhe çfarë do të mund të korrte në zgjedhje të reja që do të vinin, të tretat me radhë të panevojshme e të katërtat brenda një periudhe më pak se dy vjet”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Gojnovci ka vlerësuar se fituese nga ky proces është edhe LVV-ja, por për arsye të tjera.
“Fituese është edhe LVV-ja, por për shkak të kompaktësisë së brendshme partiake dhe për faktin që e udhëheq qeverinë, ata nuk do ta kishin problem që të shkonin në zgjedhje edhe njëherë”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, sipas tij, zgjedhjet e reja do të ishin të dëmshme për vendin dhe do të ndërprisnin qeverisjen aktuale.
“Shkuarja në zgjedhje do të ishte e dëmshme për vendin, por do ta ndalte qeverisjen Kurti, e cila tani jeton. Mesazhi i qytetarëve më 7 qershor, ku munguan më tepër se 150 mijë votues në raport me zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025, ishte që ju mund të na dërgoni në zgjedhje sa herë që doni, por ne nuk ju përgjigjemi me masën që ju e kërkoni”, ka thënë Gojnovci.
Sipas tij, edhe kryeministri Albin Kurti e ka llogaritur këtë situatë, pasi pjesëmarrja më e ulët në zgjedhje do të mund të ndikonte në rezultatin e partisë fituese, LVV-së./teve1.info/







