Gjykata e Lartë e Katalonjës ka rrëzuar të premten dënimin për përdhunim ndaj ish-futbollistit brazilian Dani Alves, duke arsyetuar se çështja kishte mospërputhje dhe kontradikta në dëshmitë e paraqitura.
Alves, 41 vjeç, ishte dënuar vitin e kaluar me katër vjet e gjysmë burg për përdhunimin e një gruaje në një klub nate në Barcelonë në vitin 2022. Megjithatë, gjykata e apelit vendosi se dëshmia e akuzueses nuk kishte besueshmëri të mjaftueshme, duke theksuar se mungonin prova të qarta për të mbështetur akuzën.
“Dani Alves është shumë i lumtur. Ai është i pafajshëm, kjo është demonstruar. Drejtësia ka folur,” deklaroi avokatja e tij, Ines Guardiola.
Ndërkohë, avokatja e akuzueses, paralajmëroi se do ta çojë çështjen në Gjykatën Supreme të Spanjës, proces që mund të zgjasë deri në një vit.
Alves ishte liruar më herët me kusht, pasi kishte paguar një garanci prej 1 milion eurosh. Pas vendimit të fundit, ai është i lirë të largohet nga Spanja, pasi u hoqën edhe kufizimet e udhëtimit dhe urdhri i mbrojtjes.
Vendimi ka shkaktuar reagime të ndryshme në Spanjë. Ministri i Drejtësisë, Felix Bolanos, tha se vendimi duhet respektuar, por theksoi se shoqëria nuk toleron më sjellje seksiste. Në anën tjetër, zëvendëskryeministrja Yolanda Diaz shprehu mbështetje për viktimën, ndërsa ish-ministrja e barazisë Irene Montero e cilësoi vendimin si “drejtësi patriarkale”.
Rasti Alves ka qenë një nga më të përfolurit në Spanjë vitet e fundit, duke marrë vëmendje të madhe për shkak të lidhjes me debatet mbi të drejtat e grave dhe pëlqimin në marrëdhëniet seksuale.