Gjykata Komerciale ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për daljen në tregun e lirë të energjisë për pesë kompani të tjera që kanë ushtruar padi individuale ndaj këtij vendimi të ZRrE-së.
Sipas Odës Ekonomike të Kosovës, këto pesë kompani kanë fituar të drejtën e tyre ligjore përmes këtij mekanizmi pasi siç thuhet legjislacioni aktual nuk parasheh padi në formë grupore ose kolektive.
Përmes njoftimit OEK po ashtu ka përsëritur thirrjen e saj për ZRrE-në që të anulojë vendimin për daljen ‘e dhunshme’ në tregun e lirë të energjisë në mënyrë që të mos dëmtohet konkurrenca, bizneset, qytetarët dhe ekonomia e vendit.
“Oda Ekonomike e Kosovës njofton për aktvendimin e radhës të Gjykatës Komerciale, e cila ka pezulluar vendimin e ZRrE-së për daljen në tregun e lirë të energjisë për pesë kompani të tjera që kanë ushtruar padi individuale ndaj këtij vendimi të ZRrE-së. Siç kemi theksuar edhe më herët, legjislacioni aktual nuk parasheh padi në formë grupore ose kolektive, prandaj vetëm paditë individuale po trajtohen dhe po pranohen nga gjykata. Këto pesë kompani kanë fituar të drejtën e tyre ligjore përmes këtij mekanizmi.
Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje ZRrE-së që të anulojë vendimin për daljen e dhunshme në tregun e lirë të energjisë, në mënyrë që të mos dëmtohet konkurrenca, bizneset, qytetarët dhe ekonomia e vendit”, thuhet në njoftim.