27 vitesh pas luftës, familja Rrecaj në Llaushë të Skenderajt, ka hapur të pame për familjarin e tyre, Idriz Rrecajn.
Në krye të vendit, të afërmit për kryeshëndosh po i pret i biri, Fidaim Rrecaj.
“S’ka qenë e lehtë për neve, kjo pritja e gjatë që është bërë, po lufta meremet nuk të bënë. Mirë se po e gëzojm lirinë…”, thotw Fidaim Rrecaj – dajli i Idriz Rrecaj.
Trupi i veprimtarit politik nga Drenica, Idriz Rrecaj, u gjet në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Fidaimi tregon se ishte i fundit nga familjarët që u nda me babain.
“Po unë i fundit jam që jam ndarë me babanë. Edhe asnjëherë mu baba nuk më ka thënë që ka me marr rrugen me lëshu Kosoven. Ato momente lufte qysh vendosin, mirëpo unë kam qenë i fundit që jam ndar me baben një dit para s’ka pas aso pretendimesh kurr as ai as na me dal dikun”, shprehet ai.
Për familjen Rrecaj, pritja mbi çerek-shekulli ishte e rëndë.
I biri tregon se edhe në të kaluarën dyshimet kryesore i kishin se trupi i veprimtarit politik ishte fshehur në ndonjë varrezë masive në veri të Kosovës.
“Dyshimet kanë qenë vazhdimisht se këta janë atje. Ka pas gërmime, janë ndërprerë, rezultate s’ka pasë. Tash këtë kohën e fundit, meqë u pa që ata janë aty, është mirë edhe si u identifiku, është mirë edhe rastet tjera, sa më shpejt me u zbardhë. Është një lehtësim për familjen”, shprehet Rrecaj.
Sipas Rrecajt, asnjëherë nuk kishin dyshime se kush ishin vrasësit e babait.
“Ajo figura qendrore në Drenicë, ka qenë babë. Tash, dalim plotë shkrime, kanë filluar sot dhe dje edhe me me deviju procesin. Na asnjëherë nuk e kemi akuzu askënd, shtetin Serb e kena ditë se ka gisht në këtë punë. Fatmirësisht, po zbardhen gjërat, fatmirësisht, ka të arrestuar, t’i presim institucionet tona. Jo do media, gazetarë, kapak kanë filluar disa shkrime që ne nuk pajtohemi. Edhe nuk është mirë me shfrytëzu raste tash, as familjen me lëndu, as me thënë të pa vërteta”, thotw djali i Idriz Rrecaj.
Idriz Rrecaj, ishte veprimtar politik nga Skënderaj, i cili së bashku me 22 persona të tjerë shqiptarë, të njohur si “grupi i intelektualëve”, u zhduk në kohën kur lufta e forcave serbe në Kosovë ishte intensifikuar.
E së fundi së bashku me Rrecajn u identifikuan edhe bashkëvendasi i tij nga Skënderaj, Salih Mëziu, si dhe Adem Beqiri.
Për trupat e 20 personave të tjerë po vazhdojnë të bëhen analizat e nevojshme për identifikim.






