Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë thirrje për raportimin e rasteve të dhunës dhe mbrojtjen e të drejtave të viktimave, duke theksuar se për dhunën nuk ka justifikim.
Këto deklarata ajo i bëri të martën, pas një vizite në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave (ZMNV), e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ku u takua me koordinatorin e kësaj zyre, Burhan Maxhuni.
Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla bëri të ditur se gjatë takimit diskutuan për punën, përgjegjësitë dhe funksionimin e kësaj zyre, si dhe rolin e saj në garantimin e të drejtave të viktimave të krimit.
Ajo theksoi se përmes Mbrojtësve të Viktimave sigurohet përfaqësimi dhe mbështetja e tyre gjatë procedurave në prokurori dhe gjykata, informimi për të drejtat ligjore dhe orientimi drejt shërbimeve për mbrojtje dhe ndihmë.
Sipas Gërvallës, mbrojtja e të drejtave të viktimave është detyrim i shtetit dhe pjesë thelbësore e funksionimit të shtetit ligjor.
“Për dhunën nuk ka justifikim, për kryerësit nuk ka amnisti dhe për shkeljen e të drejtave të viktimave nuk ka tolerancë. Ligji duhet të veprojë, drejtësia duhet të triumfojë dhe përgjegjësia duhet të jetë e pashmangshme”, ka shkruar ajo.
Ministrja ka rikujtuar gjithashtu se qytetarët dhe viktimat e dhunës mund të kërkojnë ndihmë përmes Linjës Ndihmëse 0800 11112, e cila është shërbim publik, pa pagesë dhe konfidencial.
Në fund, Gërvalla u bëri thirrje qytetarëve që të mos heshtin përballë dhunës, por të kërkojnë ndihmë dhe të raportojnë rastet.
“Prandaj mos hesht përballë dhunës. Kërko ndihmë. Raporto dhunën”, ka shkruar Gërvalla./teve1.info/







