Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente e re e vendit duke thënë se tashmë institucionet i presin katër vjet punë për realizimin e premtimeve dhe përmbylljen e reformave të domosdoshme.
Gërvalla në një postim në Facebook ka uruar Shiroka-Pulën për zgjedhjen në postin e presidentes duke thënë se ajo është një grua me integritet dhe profesionalizëm të dëshmuar.
“Tash kemi para vetes shumë punë. Katër vjet për të realizuar jo vetëm premtimet tona elektorale, por për të përmbyllur reformat e domosdoshme. Na pret funksionalizimi i plotë i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Implementimi i pakos së ligjeve të reformës më të thellë dhe më të gjerë ndonjëherë në fushën e drejtësisë në vendin tonë, të cilat do ta transformojnë rrënjësisht gjyqësorin në Kosovë. Vetingu në drejtësi, i cili është i domosdoshëm për rikthimin e besimit të qytetarëve”, ka shkruar Gërvalla.
Mbrëmë, Kuvendi i Kosovës zgjodhi presidenten e re të vendit, profesoreshën Justina Shiroka-Pula me 81 vota në raundin e parë.








