Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka thënë se parandalimi i korrupsionit dhe luftimi i tij, janë zotim i Qeverisë dhe i pakompromis.
Kështu ajo ka shkruar pas një takimi që ka zhvilluar me drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj.
Ajo ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar për mënyrat për ta forcuar transparencën e llogaridhënien.
“Qasja jonë ndaj korrupsionit nuk njeh tolerancë. Parandalimi i korrupsionit dhe luftimi i tij, në të gjitha format e tij, është zotim i yni i çdoditshëm, absolut dhe i pakompromis. Çdo mekanizëm parandalues dhe çdo hap ligjor që ndërmarrim ka një qëllim të vetëm e të qartë, parandalimin dhe luftimin e korrupsionit si dhe llogaridhënie për abuzuesit. Njëkohësisht, zbatimi i rreptë, me guxim e vendosmëri i legjislacionit mbetet çelësi për një sistem publik të fortë dhe me llogaridhënie”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Ajo tha se në takim kanë biseduar për mundësinë e avancimit të kornizës ligjore, normimin e standardizuar dhe profesional të Konfliktit të Interesit, si dhe për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar, përfshirë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në iniciativa ndërkombëtare kundër korrupsionit.
“Si Ministre e Drejtësisë, mbetem e vendosur që parandalimi i korrupsionit dhe luftimi i tij në çdo formë të shfaqjes së tij të jetë i pakompromis. Qytetarët e Republikës sonë duhet të kenë institucione të besueshme, transparente dhe të forta, që nuk i tolerojnë shkeljet e ligjit dhe shkelësit, dhe një shtet ku sundimi i ligjit nuk është vetëm parim, por praktikë e përditshme e secilit prej nesh”, ka shkruar Gërvalla.







