Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka nënshkruar vendimin i cili ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ajo ka thënë se është e vetëdijshme se ky vendim do të kundërshtohet, por është shprehur se nuk ka aletrativë.
Gërvalla në një postim në Facebook ka thënë se punësimi në këtë ministri, rekrutimi i diplomatëve të rinj do të behet vetëm në meritokraci.
“Për t’iu dhënë fund këtyre dukurive kam nënshkruar vendimin me numër 113/2024, i cili ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Vendimin e kam marrë me shumë përgjegjësi, e ndërgjegjshme që do të hasë në kundërshtime të forta nga ana e qarqeve politike dhe mediale, të mësuara me ndërhyrje të tilla, të cilat e dobësojnë shumë strukturën e ministrisë dhe vullnetin e zyrtarëve për të punuar me përkushtim. Por ndaj këtij vendimi nuk ka alternativë. Punësimi në MPJD, rekrutimi i diplomatëve të rinj mund dhe do të bëhet vetëm duke u bazuar në meritokraci, në konkurse të hapura për të gjithë dhe të bazuara në kritere profesionale”, ka shkruar Gërvalla, përcjell teve1.info.
Ajo poashtu ka thënë se në këtë ministri ka gjetur shumë familjarë të zyrtarëve të punësuar.
“Është i gjatë rrjeshti i familjarëve të figurave politike dhe publike të punësuara në këtë ministri. I motrave dhe vëllezërve, i grave dhe burrave, djemve dhe vajzave, kunatava, kunetërve dhe baxhanakëve të ministrave, deputetëve, pronarëve të mediumeve, gjyqtarëve e prokurorëve. Nuk është i vogël as numri i anëtarëve të ngushtë të familjes të zyrtarëve të MPJD/së. Deri në katër anëtarë nga e njëjta familje kanë qenë të punësuar në këtë institucion. Familjarë të ngushtë janë dërguar të shërbejnë në të njëjtin mision diplomatik”, ka shkruar ajo.