Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar me Komisionerin Evropian për Demokraci, Drejtësi, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve, Michael McGrath, në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi, që po mbahet në Budva të Malit të Zi.
Pas takimit, Gërvalla ka bërë të ditur se me komisionerin evropian ka diskutuar për prioritetet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe përparimin e vendit drejt integrimit evropian.
Ajo ka theksuar se një nga temat e diskutimit ishte reforma në drejtësi, me fokus të veçantë themelimin dhe funksionalizimin e Byrosë Shtetërore, si dhe zbatimin e pakos së ligjeve për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Gërvalla ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, duke theksuar se ajo nuk duhet të shërbejë si mburojë për personat e përfshirë në krim dhe korrupsion.
Përmes një postimi në Facebook, ministrja ka ritheksuar se reformat në drejtësi janë parakusht për forcimin e shtetit ligjor dhe avancimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
“E ardhmja evropiane e Kosovës është e pandashme nga drejtësia e fortë, shteti ligjor dhe barazia para ligjit. Reformat në drejtësi janë parakusht për një shtet të fortë ligjor dhe funksional. Dhe, Kosova po i çon ato përpara me vendosmëri të palëkundur, duke forcuar mekanizmat e drejtësisë, luftuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe garantuar se rruga jonë drejt Bashkimit Evropian është e pakthyeshme”, ka shkruar Gërvalla./teve1.info/







