Në qytetin Khan Younis, një grup palestinezësh të zhvendosur po ruajnë objekte historike në një tendë, me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë palestineze në Gaza, ku sulmet izraelite që kanë vënë në shënjestër edhe vendet historike kanë shkaktuar shkatërrime të mëdha.
Vullnetarët, të cilët veprojnë në kuadër të nismës “Rojet e Trashëgimisë”, të nisur nga Shoqata Kulturore dhe Artistike Meyasim, punojnë për të nxjerrë nga rrënojat, restauruar, dokumentuar dhe mbrojtur objektet historike, me synim ruajtjen e trashëgimisë së Gazës nga zhdukja.
Në një tendë të zakonshme në kampin e tendave në perëndim të Khan Younisit, ku strehohen rreth 900 mijë palestinezë të zhvendosur, vullnetarët përpiqen të ruajnë qindra objekte historike dhe pjesë të trashëgimisë kulturore që kanë arritur t’i shpëtojnë nga sulmet izraelite.
Zëvendëskoordinatorja e Programit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Shoqatën Meyasim, Sheyma al-Natur, në deklaratën për Anadolu tha se ekipi “Rojet e Trashëgimisë” u themelua në vitin 2024 për të parandaluar humbjen e trashëgimisë kulturore palestineze dhe përbëhet nga 20 anëtarë.
“Fillimisht përgatitëm një listë të koleksioneve muzeale në Rripin e Gazës, veçanërisht atyre që ishin bombarduar ose kishin mbetur nën rrënoja. Shkuam në këto zona, nxorëm sa më shumë objekte që mundëm, më pas i arkivuam dhe i ruajtëm në kuti të posaçme”, tha ajo.
Ajo theksoi se nuk po mbrojnë vetëm objektet historike, por përmes programit të historisë gojore po dokumentojnë edhe rrëfimet që lidhen me to, me synimin që kjo trashëgimi t’u përcillet brezave të ardhshëm.
Duke folur për punën e tyre, Natur tha: “Qëllimi i këtij procesi është të mbajmë gjallë në kujtesën e fëmijëve dhe nipërve tanë trashëgiminë e të parëve tanë, qoftë përmes një objekti që kemi në dorë, qoftë përmes historive që lidhen me të”.
Natur theksoi se shumica e muzeve dhe vendeve arkeologjike në Gaza janë shkatërruar nga sulmet izraelite dhe se rreth 3.500 objekte historike kanë humbur.
Lidhur me objektet e humbura, Natur tha: “Kemi identifikuar vendndodhjen e rreth 300 objekteve që ndodhen ende nën rrënoja, por nuk mund t’u qasemi pasi ndodhen në zona të klasifikuara si të rrezikshme ose me qasje të kufizuar”.
Ajo shtoi se njerëzit shpesh gjejnë objekte nën rrënoja pa e ditur se ato kanë vlerë historike, gjë që përbën një kërcënim për humbjen e trashëgimisë kulturore.
Duke folur për ruajtjen e objekteve në tendë, Natur tha: “Kjo tendë nuk mund t’i mbrojë objektet aq mirë sa do të dëshironim, por u jep atyre një mundësi për të mbijetuar deri në ditën kur muzetë të rindërtohen dhe trashëgimia kulturore të ruhet në vende të sigurta.”
Rripi i Gazës konsiderohet një nga rajonet me rëndësi të madhe historike, ku janë ndjekur njëra pas tjetrës qytetërimet e faraonëve, grekëve të lashtë, romakëve, bizantinëve, kanaanitëve dhe fenikasve, si dhe periudha islame, veçanërisht ajo mamluke dhe osmane.
Objektet historike të mbetura nga këto qytetërime pasqyrojnë historinë e lashtë të Gazës dhe lidhjen e palestinezëve me këtë tokë.
Që nga tetori i vitit 2023, në sulmet izraelite ndaj Gazës, rreth 208 nga 325 vendet arkeologjike dhe të trashëgimisë kulturore në Rripin e Gazës janë shkatërruar plotësisht.
Në Gazën e shkatërruar rëndë nga sulmet izraelite, mbi 73 mijë persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 173 mijë të tjerë janë plagosur.










