“Ujin po duhet me ble, po ka shumë probleme…”
Është kjo ankesa që po përsëritet që një kohë të gjatë nga banorët e lagjes “Muharrem Fejza” në Prishtinë.
Kjo pasi që nga 13 janari, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) është rekomanduar që uji nga rrjeti i Badocit nuk rekomandohet për pije, si pasojë e rritjes së vlerave të trubullirës.
Qytetarët thonë se për ta, kjo gjendje po sjell vështirësi.
“Sa të thojnë 1-2 ditë është kthjell, pastaj pas 3 ditëve kur dalim në restaorant prapë të thojnë që është trubullu, ta shesin 1 euro ujin e vogël. Për neve po është vështirë boll, kush është pensionista. Edhe për me e qu po është rëndë, bidonat po janë të mëdhënjë, me i marr shishe nuk po mundesh me i qu, prapë për neve po është rëndë boll”, deklaroi banorja, Maliqe Zogaj.
Blerja e ujit, për banorët, nuk është më një zgjedhje, por domosdoshmëri.
“Ton kohën po duhet me ble, po duhet me bajt me këtë çantë. Po vallahi as kollaj nuk është”, tha Hajrie Krasniqi.
“E blejmë normalisht sepse tash për tash po thuhet që është i trubullt, kështu që deri në njoftimin e radhës ne jemi duke blerë ujë. Normalisht që po kushton, nuk është që po kushton shumë uji, por po iu shtohet në listë të tjerave”, deklaroi banori Shaban Pllana.
E frika nga pasojat e mundshme shëndetësore që mund të sjell uji i turburlluar, ka bërë që disa familje prej vitesh të mos e përdorin fare ujin e çezmës.
“E blejna ujin, për shkak se para 6-7 viteve, djali e kishte një infeksion prej ujit edhe prej atëherë mo as nuk kemi tentu me pi, vetëm e kemi ble”, tha banorja tjetër, Luljeta Manaj.
Për këtë çështje, televizioni ka kontaktuar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit, të cilët thanë se problemi është duke u trajtuar.
“Mungesa e ujit është për shkak të turbullirave në kanal dhe jemi duke trajtuar ujë me kapacitet aq sa po lejojneë kushtet teknike. Rezervuaret e ujit janë në nivelin minimal, por pritet të rritet niveli i ujit në rezervuar dhe furnizimi shkon duke u rregullu”.
Nga KRU “Prishtina” bënë të ditur që ky problem po qëndron te te gjitha lagjet nga pak, përveç “Muharrem Fejzës”, ku problemi është më i përhapur.
Kronikë e realizuar nga gazetarja Jona Kelmendi.







