Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka përmbyllur dje përgatitjet për ndeshjen e parë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj ka zhvilluar të enjten seancën e fundit stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali, përpara sfidës kundër Maqedonisë së Veriut, e cila luhet sot në Shkup, në kuadër të Grupit 6 të Ligës C.
Në stërvitje përzgjedhësi Sermaxhaj dhe stafi i tij kanë punuar në detaje taktike, derisa gjatë tri ditëve stërvitje Dardanet kanë punuar me përkushtim maksimal për ta nisur këtë cikël me rezultat pozitiv dhe për të bërë hapin e parë drejt objektivit kryesor – rikthimit në Ligën B.
Ndeshja Maqedoni e Veriut – Kosovë zhvillohet në ora 14:00 në Shkup, ndërsa sfidën e dytë Dardanet do ta luajnë në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Letonisë.