Arlind Ajeti dhe Taulant Seferi kanë thënë se ndeshja ndaj Izraelit dhe ajo kundër Islandës janë vendimtare për Shqipërinë në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve.
Por Ajeti e Seferi në konferencën për media të hënën kanë theksuar se fokusi është te ndeshja e parë kundër Izraelit. Takimin ndaj Izraelit Shqipëria e luan të shtunën në Tel- Aviv, kurse ndaj Islandës më 27 shtator në Tiranë. Shqipëria për synim ka vendin e parë në grupin 2 të Ligës B. Ajeti është ftuar te Shqipëria në mungesë të mbrojtësve të lënduar, Marash Kumbulla dhe Berat Gjimshiti.
“Është një kundërshtar i fortë. E kemi parë edhe në ndeshjen e parë. Do të mundohemi të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen me Izraelin dhe mundësisht edhe të marrim tri pikë”, ka thënë Ajeti në konferencë për media.
Shqipëria është në vendin e tretë në grupin 2 me një pikë. Në vendin e parë është Izraeli me pesë pikë, kurse Islanda me dy pikë më pak në vendin e dytë. Sulmuesi Taulant Seferi ka thënë se do të ishte zhgënjyese nëse Shqipëria nuk fiton pikët e plota në dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve.
“Pa dyshim që do të ishte zhgënjim. Jemi ekip i mirë, kemi lojtarë me cilësi të lartë dhe do të zhgënjehemi, por jemi këtu për të dhënë maksimumin për Kombëtaren tonë dhe shpresoj që do t’ia dalim. Fokusi ynë është te Izraeli, sepse është ndeshja e parë. Do ta përgatisim Izraelin maksimalisht dhe pastaj do të flasim për ndeshjen e radhës”, ka thënë Seferi.
Pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve, Shqipëria në tetor dhe nëntor i ka të konfirmuar edhe dy ndeshje miqësore. Më 26 shtator luan ndaj Arabisë Saudite, ndërsa e pret në Tiranë përfaqësuesen e Italisë më 16 nëntor. Mund të ketë edhe përballje me Kosovën më 19 nëntor, në Gjermani ose Zvicër.