Selektori Franco Foda nuk pritet të bëjë ndryshime të mëdha në formacionin startues për ndeshjen kundër Sllovakisë.
Foda pritet t’i përbahet formacionit të tij fitues 3-5-2, i cili në fazën mbrojtëse shndërrohet në 5-3-2 për të synuar siguri prapa dhe rrezik permanent përpara.
Kosovës për këtë ndeshjes që luhet sot nga ora 20:45, i mungojnë dy lojtarë të rëndësishëm, titullarët e padiskutueshëm Amir Rrahmani e Leon Avdullahu, të dy të lënduar.
Megjithatë, Foda ka në mendje zëvendësuesit dhe pritet të mos bëjë ndryshime në formacion, me përjashtim të dy mungesave të lartëpërmendura.
Në portë, do të jetë Arijanet Muriq kurse mbrojtja pritet të përbëhet nga treshja Lumbardh Dellova, Kreshnik Hajrizi e Albian Hajdari.
Në krah, do të vendosen Mërgim Vojvoda e Dion Gallapeni, të cilët do të kenë trol të dyfishtë, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
Mesfusha pritet të përbëhet nga Elvis Rexhbeçaj, Florent Muslija e Veldin Hoxha, ndërsa në sulm do të jetë dyshja Vedat Muriqi e Fisnik Asllani, rreziku më i madh për portën e Sllovakisë.









