Selektori i Përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, ishte i bindur që Kosova do të promovohej në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Kalimin në Ligën B, që është niveli i dytë i Ligës së Kombeve, “Dardanët” e siguruan të dielën mbrëma në Murcia të Spanjës.
Në ndeshjen e dytë të plejofit, të përzgjedhurit e Fodas fituan 3:1 ndaj Islandës.
Foda u shpreh i lumtur edhe me paraqitjen e futbollistëve.
“Ky ishte qëllimi ynë. Qëllimi i parë ishte të ngjiteshim në Ligën B, nga Liga B e më tej. Jam shumë, shumë krenar për ekipin. E dinim që kundërshtari ishte një ekip shumë, shumë i mirë. Por unë isha i bindur se ne ishim në gjendje të ngjiteshim në Ligën B.E dominuam ndeshjen. Luajtëm jashtëzakonisht mirë në sulm. Ishim shumë të mirë edhe në lojën pa top dhe shihet qartë që ekipi është zhvilluar shumë mirë gjatë javës dhe muajve të fundit. Tani duhet thjesht të vazhdojmë përpara dhe ta marrim këtë shpirt ekipi edhe në muajin qershor”, ka thënë Foda, në një video të publikuar nga FFK-ja të hënën.