Mbrojtësi Lindrit Kamberi do të jetë befasia më e madhe në listën e futbollistëve të ftuar nga selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda.
Kapiteni i skuadrës së Zurichut, tashmë ka marrë ftesë nga Foda dhe do të jetë për herë të parë, pjesë e “Dardanëve”, ka zbuluar gazeta zvicerane “Blick”.
Kështu që, Kamberi, i cili ka pasur paraqitje të mira kohët e fundit në Superligën zvicerane me fanellën e Zurichut, do të grumbullohet me Kosovën për ndeshjet e këtij muaji në Ligën e Kombeve.
Mbrojtësi 27-vjeçar ka luajtur për U19 dhe U20 të Zvicrës, ndërsa si futbollist është zhvilluar te Zurichu derisa karrierë ka bërë edhe te skuadrat Wil e Winterthur.
Selektori i Kosovës, Foda gjatë këtyre ditëve do ta bëjë publike listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet me Izraelin dhe Irlandën, që luhen më 14 dhe 17 nëntor.









