Viti 2026 parashihet të jetë sfidues në aspektin ekonomik për Kosovën.
Kësisoj po vlerëson Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit, në të cilin ndër të tjerash parashihet rritje ekonomike për këtë vit.
Por, rritja prej 3.3% sipas FMN, do të tejkalohet gati dyfish nga rritja e inflacionit.
“FMN parashikon që rritja ekonomike në vitin 2026 të jetë rreth 3.3%. Inflacioni total vazhdoi të rritet, duke arritur në 5.9 përqind në janar 2026, i nxitur kryesisht nga çmimet më të larta të ushqimeve. Por, gradualisht pritet të bjerë në objektivin prej 2% deri në mesin e vitit 2028”, thuhet në raport.
Me këto parashikime dhe këto vlera, vlerësohet se jeta në Kosovë do të shtrenjtohet edhe më shumë.
“Kjo rritjë është tepër e ngadaltë, sidomos për ekonominë e Kosovës ku është ekonomia më e varfër në Evropë. Pastaj, duke pasur parasysh që kemi një parashikim për rritje të inflacionit prej 5.9%, kjo tregon që çmimet dhe kostoja e jetesës do të jenë të larta, kurse potencialisht të ardhurat nuk kanë një përcjellje të inflacionit”, vlerwson Fidan Qerimi – economist.
Në raport të FMN-së, potencohet se ekonomia përpos që ndikohet nga faktorët e jashtëm, rol në të kanë edhe zhvillimet politike në Kosovë.
“Rreziqet e jashtme përfshijnë vazhdimësinë ose intensifikimin e konflikteve rajonale, tensionet globale tregtare dhe luhatjet e çmimeve të mallrave, të cilat mund të ndikojnë negativisht në kërkesë dhe punësim. Brenda vendit, mbeten rreziqe politike, duke përfshirë pasiguritë në zgjedhjen e presidentit të ri”, shprehet Qerimi.
Raporti i FMN-së, Kosovës mes tjerash i rekomandon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, kontrollim të shpenzimeve buxhetore, rritje të investimeve publike dhe avancim të reformave strukturore, me qëllim forcimin e ekonomisë dhe afrimin me standardet e BE-së.






