Ekipet negociuese të Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Austrisë kanë negociuar dhe parafuar Marrëveshjen për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështjet Penale, ka njoftuar Ministria e Drejtësisë.
Sipas njoftimit, marrëveshja synon forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë penale, përmes krijimit të një kornize të qartë ligjore për lehtësimin dhe avancimin e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar.
Fushëveprimi i marrëveshjes përfshin ekstradimin, ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale, transferimin e personave të dënuar, si dhe forma të tjera të bashkëpunimit gjyqësor.
Këto mekanizma synojnë të rrisin efikasitetin në trajtimin e kërkesave dhe procedurave përkatëse.
“Finalizimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Austrisë, si dhe në forcimin e përpjekjeve të përbashkëta për parandalimin dhe luftimin e krimit ndërkufitar dhe transnacional”, thuhet në njoftimin e MD-së./teve1.info/







