Janë pamje të natës kritike të 23 shatorit të vitit 2023.
Në to shihen lëvizjet e terroristëve serb, gjatë sulmit në Banjska të Zveçanit.
Të gjitha këto, u shfaqën në gjykatore të mërkurën.
E këto, sipas Prokurorisë Speciale, janë dëshmi e një sulmit të organizuar terrorist.
Madje, pamjet u tha se u gjetën në telefonat e tre të akuzuarve, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Nga po të njëjtit telefona, prokurori i specializuar në fjalën përfundimtare, zbuloi biseda të natës kritike.
“Në orën 1:38:23 sekonda, shkruhet “Filloj luftë” dhe menjeherë pastaj përgjigja “Filloj”, duke shënuar fillimin e një ngjarje të armatosur dhe jo një situatë të rastësishme. Në vijim, komunikimet përshkruajnë gjendjen në teren me shprehjet si “ka të shtëna nga të gjitha anët”, “luftë dhe nuk është shaka”, ka thënë Abazi.
Prokuroria po ashtu argumentoi se ekzisonte edhe një strukture komanduese gjatë sulmit në Banjska.
“Ai ka pranuar se është pozicionuar në teren sipas udhëzimeve të dhëna nga personi Muçilo Muçkoviq, duke konfirmuar kështu ekzistencën e një strukture komanduese. Nga deklarimet e tij rezulton se ka qenë i pranishëm në teren në momentin e fillimit të të shtënave dhe ka qëndruar në zonë deri në ndërhyrjen e Policisë së Kosovës”, u shpreh tutje Abazi.
Se kemi të bëjmë më një sulm terrorist të organizuar, sipas prokurorit, e dëshmon edhe gjendja në të cilën u arrestua Vladimir Toliq.
“Në momentin e arrestimit ai ka qenë i armatosur rëndë, i uniformuar me rroba ushtarake dhe njëkohësisht i plagosur”, theksoj Abazi.
Në gjykatore u shfaqën edhe provat që dëshmojnë se për këtë sulm ishin kryer një sërë përgatitjesh.
“Fillimet e këtij organizimi nuk datojnë realisht më datën 24 shtator 2023. Ato dokumentohen qartë që nga takimi i datës 13 tetor 2021 në qytetin e Rashkës në Republikën e Serbisë, ku është kërkuar armatosje, mobilizim dhe përgatitje për rezistencë të armatosur kundër institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Abazi.
Ndërsa të gjitha këto fakte sipas Prokurorisë Speciale, e dëshmojnë vetëm një gjë.
“Të pandehurit nuk janë kalimtarë të rastësishëm, por janë pjesë aktive e këtij grupi, janë arrestuar në vendin e ngjarjes, kanë qenë të armatosur dhe pajisur ushtarakisht dhe kanë lënë gjurmë forenzike të përdorimit të armëve dhe janë lidhur përmes komunikimeve dhe provave materiale në këtë organizim”, u shpreh Abazi.
Për këtë sulm, ku i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku, e u lënduan disa zyrtarë të tjerë policorë, prokuroria kërkon dënim të përjetëshm për tre të akuzuarit.
“Prokuroria vlerëson se dënimi i vetëm proporcional për peshën e veprave penale është burgimi i përjetshëm. Çdo dënim më i ulët do të ishte në disproporcion të qartë me gravitetin dhe pasojat dhe rrezikshmërinë e veprimit dhe nuk do të përmbushte as funksionin ndëshkues e as parandalues të sanksionit penal”, ka përfunduar Abazi.
Për herë të fundit, trupit gjykues iu drejtuan edhe përfaqësuesit e palëve të dëmtuar.
“Dënim me burgim të përjetshëm, nuk ka tjetër Gjykatë e nderuar”, ka thënë Koci.
“Kërkoj nga Gjykata që të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i detyrojë këta të akuzuar, secilin veç e veç, në mënyrë solidare që Alban Rashitin ta kompensojnë me shumën prej 1.5 milionë euro për shërimin dhe rehabilitimin e plagëve të fituara”, u shpreh Rudari.
“T’i detyrojë që të dëmtuarin Çlirim Shaqiri ta kompensojnë për shërimin dhe rehabilitimin e dëmit që e ka marrë nga veprimet e tyre kriminale”, theksoj Ismaili.
Fjalët e tyre përfundimtare mbrojtja e tre të akuzuarve, do ta kenë rastin t’i paraqesin në fillim të javës së ardhshme.







