Filipinet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare për shkak të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, duke përmendur “rrezikun e menjëhershëm” që i paraqitet furnizimit me energji të vendit.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., tha se është formuar një komitet për të siguruar lëvizjen e rregullt, furnizimin, shpërndarjen dhe disponueshmërinë e karburantit, ushqimit, ilaçeve, produkteve bujqësore dhe mallrave të tjera thelbësore.
“Shpallja e gjendjes së emergjencës kombëtare energjetike do t’i mundësojë qeverisë… të zbatojë masa të përgjegjshme dhe të koordinuara sipas ligjeve ekzistuese për të adresuar rreziqet e paraqitura nga ndërprerjet në furnizimin global me energji dhe në ekonominë vendase”, tha ai.
Ndryshe nga SHBA-ja apo Evropa, Azia Juglindore është jashtëzakonisht e varur nga nafta që kalon nëpër ngushticën e Hormuzit, rruga jetësore e transportit detar të cilën Irani po e bllokon në mënyrë efektive si një levë kundër SHBA-së, megjithëse disa anije nga vendet “mike” janë lejuar të kalojnë me lejen e Teheranit, shkruan Guardian.
Pothuajse 80% e importeve të naftës bruto të rajonit vijnë nga Gjiri Persik, që bën që ndikimi i luftës të ketë një ndikim të madh në ekonomitë dhe burimet në vendet e Azisë Juglindore.
Filipinet, të cilat janë ndër vendet që mbështeten shumë te nafta e Lindjes së Mesme për nevojat e karburantit, pritet të importojnë naftë ruse këtë muaj për herë të parë në pesë vjet.










