Dardan Krasniqi, familjar i ish-krerit të UÇK-së në Hagë Jakup Krasniqit, ka folur për nismën e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilën kjo parti e ka dorëzuar sot në Kuvendin e Kosovës.
Duke folur në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Krasniqi ka thënë se çdo lëvizje institucionale në këtë drejtim është e duhur, madje, sipas tij, mund të konsiderohet edhe e vonuar.
“Çdo lëvizje që vjen në këtë drejtim jo vetëm që është e duhur, por mund të konsiderohet edhe e vonuar. Edhe pse vonesat kanë pasur arsyeshmërinë e vet, ne kemi qenë dëshmitarë të shumë shkeljeve që kanë ndodhur gjatë këtij procesi, duke filluar nga mënyra e arrestimit që ka ndodhur atëherë e deri te finalizimi i këtij procesi, respektivisht te vendimi final i gjykimit”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka pretenduar se gjatë procesit ka pasur shkelje dhe standarde që, sipas tij, kanë qenë nën pritjet e standardeve ligjore, përfshirë edhe ato që lidhen me juridiksionin e Kosovës.
“E kemi parë që ka pasur shkelje dhe standarde që kanë qenë jashtë pritjeve të standardeve ligjore, përfshirë edhe ato të juridiksionit të Kosovës. Kjo e fundit, që ndodhi në aktgjykimin në Hagë, ka qenë një tronditje e madhe që ka ndikuar jo vetëm te familjarët”, është shprehur ai.
Krasniqi ka theksuar se çështja e ish-krerëve të UÇK-së, sipas tij, nuk duhet të shihet vetëm si çështje e familjarëve, por si çështje që prek institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi.
“Kjo nuk është çështje familjare. Është çështje shtetërore, është çështje e shoqërisë në përgjithësi dhe është çështje e institucioneve të Kosovës, sepse është prekur themeli, është prekur fundamenti i bazamentit të UÇK-së”, ka thënë Krasniqi.
Ai e ka cilësuar procesin gjyqësor si të rëndësishëm dhe ka kërkuar që iniciativat institucionale lidhur me këtë çështje të trajtohen me kujdes.
“Ai gjykim ka qenë shumë i vrazhdë dhe, si i tillë, duhet të marrë edhe përgjigje. Edhe kjo iniciativë, edhe çdo iniciativë institucionale, jo vetëm që duhet të mirëpritet, por duhet të mbështetet nga të gjithë. Ato duhet të trajtohen me kujdes dhe të dalin me përfundime që sigurojnë një rezultat sa më të mirë të këtij procesi”, ka deklaruar Krasniqi.




