Plot 50 euro, pagoi kjo grua shtatzënë në një klinike private gjinekologjike në Prishtinë.
Në këtë çmim, përveç kontrollit mjekësor, u përfshi edhe ultrazëri.
Kjo është shuma më të cilën po përballen së fundmi gratë shtatzëna për një kontrolle mujore.
E gjitha kjo, pasi të njëjtat, prapa kamerës, thonë se për këtë proces, kanë gjithnjë e më shumë besim tek mjekët privat.
Tëvë1 telefonoi në disa Klinika Private Gjinekologjike.
Ndërsa çmimi më i ulët që e ofrojnë për një kontrolle mjekësore, doli të jetë 30 euro.
“30 euro kontrolla së bashku me konsultën”.
E ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, thotë se kjo gjendje e krijuar është shndërruar në barrë të rëndë financiare për familjet.
“Ne jetojmë në një ekonomi të tregut të lirë, por kjo diskrepancë në çmime ky abuzim që po ndodh në shëndetësi është i papranueshëm, është i patolerueshëm, është një kosto e rëndë financiare dhe kemi dallim të çmimeve deri në 1000% nuk po flasim për pak. Dallimi më i madh është në marrjen e këtyre shërbime që janë emergjente”, tha deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Ky shërbim, sipas drejtorit të Shëndetësisë në Prishtinë, ofrohet edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
“Është vetëm në QKMF , është reparti i shëndetit për gruan kujdesit për gruan që janë gjinekologët në këtë lëmi. Normalisht shumica e problemeve që zgjidhen në kujdesin parësor zgjidhen këtu në institucionet tona,. Një pjese e tyre për problem të tjera i referojmë në kujdesin tretësor sepse nuk e kemi kujdesin dytësore. Në këtë formë funksionin edhe gjinekologjia”, deklaroi Bujar Gashi, drejtor i shëndetësisë në Kosovë.
E anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga Vetëvendosje, Sylejman Meholli, thotë se qytetarët nuk duhet të hezitojnë t’i marrin shërbimet gjinekologjike në institucionet publike.
“Vazhdoj të besoj dhe jam i bindur që kushtet në shëndetësinë publike gjegjësisht në repartin e gjinekologjisë qoftë në spitalet rajonale apo edhe në QKUK janë shumë më të avancuara sesa në klinikat private, prandaj edhe nëse ka prej atyre që janë skeptik për këtë çështje dhe akoma e shohin si opsion sektorin privat për shërbime gjinekologjike ju bëjë ftesë si profesionist shëndetësorë të shkojnë e të i provojnë të i marrin të njëjta shërbime në sektorin publik, jam i bindur që do të jenë të kënaqur më shërbimet që do të i marrin”, theksoi Meholli.
Ndryshe, në Kosovë nuk ka ndonjë autoritet rregullues që cakton apo kufizon çmimet e shërbimeve mjekësore në klinikat private.
Këto të fundit, aktualisht funksionojnë mbi parimet e ekonomisë së tregut të lirë, ku edhe i përcaktojnë vet çmimet.



