Presidenti Recep Tayyip Erdogan u takua të mërkurën në Pallatin Presidencial me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në një njoftim në rrjetin social Facebook, Erdogan bëri të ditur se takimi u fokusua në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe në promovimin e stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan.
Ai theksoi përkushtimin për rritjen e ndjeshme të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, duke nënvizuar se në vitin 2015 në Serbi operonin rreth 100 kompani me pronësi turke, ndërsa sot ky numër ka kaluar 1,500, me investime totale që arrijnë në 300 milionë dollarë.
“Tregtia dhe investimet tona në rritje me Serbinë janë lokomotiva e marrëdhënieve tona”, u shpreh Erdogan.
Të dy liderët riafirmuan angazhimin e tyre për të mbështetur iniciativa që kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe stabilitetin rajonal.
Erdogan theksoi gjithashtu rëndësinë e zgjerimit të shkëmbimeve kulturore, duke përmendur rritjen e vizitave reciproke dhe interesimin në rritje për mësimin e gjuhës turke në Serbi, të mbështetur nga institucione si Instituti Yunus Emre dhe Fondacioni i Dijes Turke.




