Me veshje që simbolizojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës po nisen drejt maleve të Baincës.
Këtë herë, jo për të luftuar, as me armë në brez, por me paterica.
Që nga përfundimi i luftës është hera e katërt që Remzi Lestrani viziton vendin ku dha shumë për çlirimin e vendit.
Lestrani i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në moshën 21-vjeçare, e për këtë thotë se ndjehet krenar dhe se kanë qenë ditët më të ndritura për të.
“Si shumë të rinj edhe si popull i vuajtur sidomos në familjet në Drenicë, gjyshërit kanë qenë pjesëtar të luftës, të Shaban Polluzhës, vëllai i burgosur politik,na ka detyrua sidomos mos me na u dhimt jeta ka qenë kushtrimi i Adem Jasharit me familje, pas vrasjes se komandantit, s’ka pas të rinj që s’ka qenë në gjendje me marr armën edhe me vdek për atdhe”, u shpreh ai.
Ish-luftëtari i UÇK-së, tregon se pas disa muajsh luftime, kishte përfunduar i plagosur rëndë.
“Kam pas fatin që më 23 maj 1999 në përfundim të luftës, jam plaguar, kam marr plagë të rënda, në këmbën e majtë një plumb, në këmbën e djathtë kam protezë”, tha Lestrani.
Për orë me radhë, shokët e luftës e kishin mbajtur në krahë për ta larguar nga vendi i plagosjes.
“Organizimi qysh më kanë tërheq 9 orë deri më kanë qua në bjeshkët e Berishës në shpinë më kanë mbajt, ka qenë vullneti i tyre mos me lanë shokë të plagosur mbrapa”, tha ai,
Ndihmën e parë e ka marrë nga shoku i tij, e në spitalin e improvizuar në bjeshkët e Berishës, i është amputuar këmba
“Janë detyruar me ma bo operacionin, operacioni është bërë pa anestezion, e kam bërë amputimin e këmbës pa anestezion për mos mu përhap infeksioni”, shtoi ai.
Falë mjekëve të luftës, ish-ushtari thotë se ka shpëtuar ai dhe shumë ushtarë të tjerë.
Me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, Lestrani së bashku me shumë luftëtarë ishin dërguar në Shqipëri, ku pas një kohe të shkurtë kishte vazhduar për në Itali. Atje edhe i ishte vendosur proteza në këmbë.
Në nëntor të 1999 ishte kthyer në Kosovë, ku nuk dinte as për fatin e familjarëve.
“Me familje jam takuar në nëntor 1999, janë kanë disa vende të improvizuara, shtëpia të shkatërruara të djegura, i kishin bërë vetëm të përkohshme, gëzimi më i madh liria, edhe si kam ardhur duke pyetur për bashkëluftëtarët”, rrëfeu më tej Lestrani.
Pas përfundimit të luftës, jeta për ta nuk ka qenë aspak e lehtë,mirëpo për të me shpalljen e pavarësisë, u përmbush një ëndërr shekullore.
“Gjithë ata njerëz që kanë rënë për liri dhe pavarësi, nuk ka pas gëzim më të madh”, u shpreh Lestrani.
E në 15-vjetorin e Pavarësisë, ish-ushtari thotë se ndjenja për këtë festë ka filluar të zbehet.
“Po ka filluar me u zbeh, me padrejtësitë që po bëhen në Gjykatën e Hagës, njerëzit më meritor që kanë bërë për liri tash po akuzohen si kriminel a në fakt, kriminelët dihet se kush janë”, përfundoi ai.
Sipas tij, festa e pavarësisë nuk ka vlerë të festohet pa krerët e UÇK=së të cilët po gjykohen në Hagë.
Kronika e gazetares Arlinda Sejdiu-Latifi.