Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit mund të përfundojë më herët se data e planifikuar, 19 janar.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri sot pritet të përfundojë mbledhja e të gjitha fletëvotimeve nga kutitë postare.
Ai shtoi se janë evidentuar mbi 9 mijë e 900 votues me kusht në 57 vendvotime në 38 komuna dhe 2 mijë e 860 votues me nevoja të veçanta.
“Në bazë të dinamikës së punëve, mund të arrijmë në një përfundim, që shpallja e rezultateve që ishte planifikuar të bëhet me 19 janar, të bëhet më herët. Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime ku është mundësuar votimi me kusht në 38 komuna, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9 mijë e 900 votues të regjistruar për të votuar me kusht. Ndërkaq numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2860. Pra të gjitha këto aktivitete që po ndërmerr KQZ kanë për qëllim që të shpallen në një kohë sa më të shpejtë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të Kuvendit të Kosovës që janë mbajtur më 28 dhjetor”, deklaroi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se po planifikohet që sot të fillohet me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, derisa aktualisht është duke vazhduar numërimi i votave me postë.
Procesi final drejt shpalljes së rezultateve përfundimtare do të jetë shqyrtimi i ankesave të mundshme në PZAP dhe në Gjykatën Supreme.







