Policia e Kosovës ka bërë të martën ekstradimin nga Italia në Kosovë të një shtetasi kosovar, me inicialet S.S., i cili kërkohej përmes INTERPOL-it me letërarrestim ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të Policisë , ekstradimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
S.S. ishte arrestuar nga autoritetet italiane, pasi ndaj tij ishte lëshuar letërarrestim ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, nën dyshimin për veprat penale “Pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal” dhe “Kontrabandë me emigrantë”.
Ekstradimi është realizuar në bazë të legjislacionit në fuqi dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Italisë.
Pas ekstradimit, i dyshuari i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë në rajonin e Gjakovës, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore./teve1.info/







