Presidenti izraelit Isaac Herzog zyrtarisht i ka dhënë mundësinë e parë politikanit të opozitës, Gadi Eisenkot të dielën në mbrëmje që të formojë qeverinë.
Negociatat për koalicione komplekse do të vazhdojnë, por kjo shënon një hap të rëndësishëm për të rrëzuar kryeministrin më jetëgjatë të Izraelit, Benjamin Netanyahu , pas zgjedhjeve të mbajtura.
“Shpresoj me gjithë zemër që çfarëdo qeverie që të formohet do të çojë në unitet, lidhje dhe shërim midis të gjitha segmenteve të popullit tonë – sepse vetë ekzistenca jonë varet prej kësaj dhe ne kemi vetëm një vend”, tha Herzog në ceremoninë në rezidencën presidenciale në Jerusalem.
Njoftimi nuk garanton që Eisenkot do të bëhet kryeministri i ardhshëm. Ai ka deri në gjashtë javë kohë për të formuar një qeveri koalicioni duke siguruar aleanca, një sfidë e vështirë sepse zgjedhjet e 27 tetorit nuk i dhanë as bllokut të tij dhe as atij të Netanyahut një shumicë të qartë në parlament.
Herzog tha se në konsultimet me partitë, shumica e anëtarëve të parlamentit, i njohur si Knesset, mbështetën dhënien e kësaj detyre Eisenkot, shkruan AP.
Duke thyer precedentët e dekadave të tëra, partia e dytë e udhëhequr nga arabët, Lista e Përbashkët, është ofruar të mbështesë Eisenkot nga jashtë koalicionit për t’i dhënë fund pushtetit të Netanyahut.
Eisenkot ka paraqitur katër kushte për partitë që duan t’i bashkohen. Ato duhet ta njohin Izraelin si një shtet hebre dhe demokratik, të pranojnë deklaratën e tij të pavarësisë, të mbështesin shërbimin ushtarak, kombëtar ose civil për të gjithë qytetarët dhe ta shpallin grupin palestinez Hamas një grup terrorist.
Eisenkot ka 28 ditë për të formuar një koalicion, me një zgjatje të mundshme prej dy javësh nga presidenti. Nëse ai nuk arrin të formojë një qeveri, Netanyahut mund t’i jepet një shans për të krijuar një koalicion. Nëse Netanyahu gjithashtu nuk arrin ta bëjë këtë, vendi do të kthehet në zgjedhje në fillim të pranverës së ardhshme.










