Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarës Eriola Spaho, duke e dënuar me 10 muaj burgim për falsifikim të parave.
Aktgjykimi dënues është shpallur pas aprovimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë të lidhur mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarës Spaho.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili theksoi se dënimi me 10 muaj burgim, do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Gjykata konstatoi se të pandehurës Spaho, në dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 14 shkurt 2024 deri më 25 nëntor 2024.
Po ashtu, ajo obligohet që brenda 15 ditëve pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë, të paguajë shumën prej 100 euro në emër të shpenzimeve të procedurës penale, si dhe shumën prej 100 euro në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Gjyqtari Shyti tha se kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditëve.
Paraprakisht, në seancën dëgjimore, nga Gjykata u bë e ditur se më 17 qershor 2026 me aktvendim është veçuar procedura penale për të pandehurën Spaho, kurse të pandehurit tjerë Alfred Krepi, Murat Gjuniku dhe Aleks Martini do të gjykohen ndaras.
Kjo për arsye se Spaho ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë dhe e njëjta është në procedurë të ekstradimit në Republikën e Shqipërisë.
Prokurori special, Halim Borovci, deklaroi se marrëveshja është lidhur në mënyrë të lirë dhe vullnetare në prani të mbrojtjes së të pandehurës Spaho.
Kurse, pas aprovimit nga Gjykata, prokurori shtoi se sa i përket lartësisë së dënimit, Prokuroria Speciale kërkon 9 deri në 10 muaj burgim në pajtim edhe me marrëveshjen e pranimit të fajësisë.
Mbrojtësi i të akuzuarës Spaho, avokati Arbër Shala, tha se marrëveshja është lidhur pas konsultimeve të mjaftueshme me të pandehurën.
Kurse, pas aprovimit të saj nga Gjykata, Shala se si mbrojtje qëndrojnë në tërësi pranë dënimit të propozuar.
Po ashtu, avokati Shala propozoi që Spahos, t’i kthehet shuma e dorëzanisë në vlerë prej 15 mijë euro të deponuar në procedurë paraprake.
Tutje, në pyetjen e gjykatësit Shyti, se a i qëndron pas marrëveshjes për pranimin e fajsisë dhe dënimit të propozuar nga Prokuroria, e pandehura Spaho tha se i qëndron pranë dhe se marrëveshjen e ka lidhur me vullnet të plotë.
“Jam plotësisht e vetëdijshme, e kam arritur me vullnet të plotë dhe jam dakord. E pranoj fajsinë dhe i qëndroj deri në fund marrëveshjes që kam arritur me Prokurorinë Speciale”, u përgjigj Spaho.
Prezent në shpallje të aktgjykimit ishin: e pandehura Eriola Sphao dhe mbrojtësi i saj, avokati Arbër Shala, raporton Betimi për Drejtësi.
Ndryshe sipas aktakuzës së 12 qershorit 2026, të pandehurit Alfred Krepi, Eriola Spaho, Murat Gjuniku dhe Aleks Martini, akuzohen se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme për veten dhe grupin, duke e ditur dhe poseduar para të gatshme të falsifikuara, gjithsej 123 bankënota me prerje nga 200 euro, në shumë totale 24 mijë e 600 euro, kanë kryer veprën penale “falsifikimi i parasë”.
Sipas aktakuzës, me mërreveshje paraprake, të akuzuarit ishin pajtuar që ato t’i mbajë i pandehuri Krepi, te cilat i kishte vendosur në njërin nga xhepat e xhaketës së tij, ashtu që më 14 shkurt 2024, të pandehurit me dy vetura nga Shqipëria hyjnë në Kosovë, përmes pikës kufitare në Morinë/Vërmicë.
Njërën veturë, sipas aktakuzës e drejtonte i pandehuri Gjuniku, e në të gjendej edhe i pandehuri Krepi, kurse veturën tjetër e drejtonte Martini dhe pasagjere ishte Spaho.
Ata derisa po qëndronin në ambientet e një pompe derivatesh në drejtim të fshatit Zhur-Prizren, ku sipas planit ishte paraparë që të bëhej shitblerja e parave të falsifikuara, përkatësisht pranim-dorëzimi i sasisë së parave të falsifikuara kundrejt pagesës së një çmimi në para të vërteta nga blerësi, me qëllimin përfundimtar që paratë e falsifikuara të përdoren si të vërteta, zbulohen dhe idenfikohen nga Policia.
Në aktakuzë thuhet se Policia kreu kontroll në veturat e të pandehurve, dhe tek i pandehuri Krepi gjejnë dhe sekuestrojnë paratë e falsifikuara, po ashtu në automjetin “BMW X5”. Po ashtu, gjatë të kontrollit gjendet edhe një monedhë prej 2 euro e cila është plotësisht e falsifikuar.
Me këto veprime, akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer verën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 296, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).







