Dy persona kanë mbetur të plagosur nga arma e zjarrit pasditen e së martës në Gjakovë, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Sipas zëdhënëses së Policisë në Gjakovë, Vlera Krasniqi, policia është njoftuar nga Qendra Emergjente e Spitalit të Gjakovës, rreth orës 16:40, se dy persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të plagëve të dyshuara nga arma e zjarrit.
Pas marrjes së informatës, njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit kanë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja dhe një armë të gjatë automatike.
Ndërkohë, personi i dyshuar lidhur me rastin është arrestuar.
Sipas Krasniqit, veprimet e mëtejshme policore janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorin e Shtetit.




