Ish-këshilltari politik i ish-komandantit suprem të NATO-s, Wesley Clark, diplomati John Stewart Duncan, gjatë pjesës së parë të dëshmisë së tij në Hagë, tha se UÇK-ja kishte përbërje heterogjoene.
Duncan ka theksuar se persona të ndryshëm kishin marrë armët për motive të ndryshme.
“Ka qenë një grup heterogjen personash, shumë heterogjen, dhe ndryshuan. Përbërja e aktorëve kryesorë, e personave kryesorë, veçanërisht kur fillojë të përshkallëzohej spastrimi etnik kishte disa shtresa, do jap një shembull konkret, kishte pasur persona që kanë qenë ushtarë në armatën jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë, të tjerëve të cilëve iu ishin keqtrajtuar familjet, kështu që motivi i tyre për të rrëmbyer armët ishin i ndryshëm ndonjëherë”, tha ai.
Ai përmendi se kishte edhe gra në UÇK, disa prej të cilave edhe ishin të mbijetuara të dhunës seksuale.
“Kishte gra në UÇK. Kishte që ishin abuzuar seksualisht, dhunuar seksualisht, të abuzohet seksualisht një femër shqiptarë është e tmerrshme… Kam takuar shumë nga këto gra dhe kanë qenë shumë mbresëlënëse”, theksoi ai.
Dëshmia e britanikut vjen pasi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u dëgjua ish-ndihmëssekretari amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës në negociatat në Rambuje, Paul Williams.
Paraqitja e provave të mbrojtjes nisi një javë më parë, më 15 shtator. Mbrojtja e Thaçit ka planifikuar t’i sjell 11 dëshmitarë në tërësi, pas së cilëve pritet të dëshmojnë dy të tjerë të thirrur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.
Paraqitja e provave të mbrojtjes pritet të përfundojë deri në mesin e nëntorit, ndërkaq, turpi gjykues pret që ekipet mbrojtëse të dorëzojnë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.