Dogana e Kosovës ka zbuluar 150 mijë euro të padeklaruara gjatë kontrollit të një veture në pikëkalimin kufitar të Vërmicës.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti është zbuluar rreth orës 19:00, në hyrje të Kosovës, kur zyrtarët e Sektorit të Antikontrabandës kanë ndaluar për kontroll një veturë.
Drejtuesi i saj, pasi është pyetur nga zyrtarët doganorë, ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të deklaruar.
Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar, në veturë janë gjetur mjete monetare të padeklaruara.
Fillimisht, shoferi ka deklaruar se shuma ishte 120 mijë euro, por pas numërimit është konstatuar se bëhej fjalë për 150 mijë euro, të gjitha në kartëmonedha prej 50 eurosh.
Dogana ka bërë të ditur se 37 mijë e 500 euro, apo 25 për qind e shumës, janë konfiskuar për shkak të mosdeklarimit, ndërsa 112 mijë e 500 eurot e tjera janë mbajtur për deponim dhe ruajtje deri në përfundimin e procedurave përkatëse.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Sektori i Hetimeve i Doganës, i cili ka vepruar në koordinim me Prokurorinë kompetente në Prizren.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, drejtuesi i veturës dhe automjeti janë liruar, ndërsa personi është obliguar të paraqesë dokumentacionin përkatës për të dëshmuar prejardhjen e parave.
Dogana e Kosovës ka rikujtuar se deklarimi i mjeteve monetare në vlerë prej 10 mijë eurosh ose më shumë është obligim ligjor për të gjithë udhëtarët që hyjnë apo dalin nga Kosova./teve1.info/







