Këtë të premte të 17 korrikut, Serbia do ta nis rundin e parë të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të dialogut strategjik.
Ky zhvillim, nga shteti serb u cilësua si një moment mjaft i rëndësishëm në marrëdhëniet mes të dyja vendeve.
Dialogu strategjik do të fillonte edhe me Kosovën.
Por kjo u pezullua nga SHBA në shtator të vitit të kaluar.
Ky pezullim për një afat të pacaktuar, erdhi si pasojë e veprimeve të Qeverisë në Detyrë në katër komunat veriore, me të cilat ambasada e SHBA në Kosovë nuk pajtohej dhe shprehte shqetësim.
Se këtë mundësi do ta shfrytëzojë krejtësisht presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e thonë nga Shoqata “Miqtë e Amerikës”.
“Kjo nuk do të thotë që SHBA domosdoshmërisht po ndryshon qëndrimin e saj ndaj Kosovës apo karshi Kosovës. Por duhet të themi se Serbia po fiton një mundësi shtesë për t’i paraqitur qëndrimet, objektivat, interesat, mendimet apo përafrinë me institucionet më të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jo përmes kanaleve diplomatike siç e kanë bërë përmes ambasadorëve, përmes përfaqësuesve të shteteve tjera. Por tani e kanë komunikimin direkt, e që normalisht do ta shfrytëzojnë në maksimum këtë çështje”, thotë Agim Rexhepi nga kjo shoqatë.
Miërpo shpresë ka, se ky dialog do të rinisë edhe për Kosovën.
“Kjo ka qenë edhe premtim nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që në momentin që të kemi një ndryshim të pozicionit politik të Republikës së Kosovës, edhe shqyrtimi i rifillimit të dialogut strategjik është në interesin e dyanshëm të vendeve tona”, vlerëson politologu, Albinot Maloku.
E para nga vendet e Ballkanit Perëndimor që ka nisur procesin e Dialogut Strategjik me SHBA-në, është Maqedonia e Veriut, e cila këtë e nisi në vitin 2022.
Bisedimet e nivelit të lartë, të zhvilluara në Uashington ose në vendin partner, zakonisht përfshijnë një gamë të gjerë temash, si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjetika dhe ekonomia.







