Dezinformimi ka qenë i intensifikuar në hapësirën digjitale, duke përfshirë përmbajtje nga lajmet e rreme deri te përdorimi i inteligjencës artificiale në zgjedhjet në Kosovë, vuri në dukje hulumtuesi në Hybrid.info, Festim Rizanaj, teksa paraqiti gjetjet e raportit “Rezilienca ndaj dezinformimit në kohë zgjedhjesh”, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Ai tha se raporti ka identifikuar një numër të madh postimesh dhe artikujsh të dyshimtë si dhe fenomene si sondazhe të rreme, përdorimi i platformave sociale dhe narrativat e ndryshme që ndikojnë në perceptimin publik.
Rizanaj shtoi se në hapësirën shqip kanë dominuar lajmet e rreme, ndërsa në atë serbe teoritë konspirative dhe narrativat politike.
“Gjatë monitorimit tonë, kemi marrë një mostër prej rreth 17,000 postimeve globale në hapësirën shqip-serbe, duke përfshirë media, portale të ndryshme, nëpërmjet faqeve të rrjeteve sociale, por edhe disa domeneve që ne i vlerësojmë si të dyshimta. Nga monitorimi kemi identifikuar 103 raste ose artikuj të caktuar ku pothuajse gjysma prej tyre kanë qenë fact-checking, pra verifikim i fakteve i bazuar në tematika të caktuara. 70 kanë qenë në shqip, 15 në serbisht…Para zgjedhjeve ka pasur video dezinformata, sondazhe të caktuara, përmirësim i listës gjatë kësaj periudhe edhe dëshmitë lidhur me analizimin e tyre, ndoshta në serbisht teoria konspirative, portalet Serbe dhe ruse, Russia Today edhe Sputnik Neës në serbisht, po ashtu edhe platformat domethënë të medias sociale që përdoret kryesisht në komunitetin serb – Telegram. Tematika mbi pjesën ekzistenciale, dëbimi i Kosovës, armatimi i Kosovës, që përdoret kryesisht domethënë për rrezikim me nxitje të frikës dhe urrejtjes. Këto janë disa statistika domethënë që treguan, 26 tematika janë gjetur me zgjedhjet parlamentare, 19 me zgjedhjet lokale. Siç e ceka, rreth 1049 tema kryesore që janë lloje të tilla dhe dezinformata janë publikuar në mediat sociale, e të tjerë”, u shpreh Rizanaj.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, theksoi rëndësinë e adresimit të dezinformimit në periudhat zgjedhore, duke vënë në pah ndikimin që informacioni i rremë ka në proceset demokratike dhe perceptimin e qytetarëve.
“Zgjedhjet janë themel i demokracisë, por sot ato nuk kontestohen vetëm në kutitë e votimit. Ato po kontestohen gjithnjë e më shumë në hapësirën informative. Platformat digjitale kanë transformuar mënyrën se si qytetarët qasen në informacion dhe marrin pjesë në debatin publik. Në të njëjtën kohë, ato kanë krijuar edhe dobësi të reja. Narrativa mashtruese, përmbajtje e manipuluar dhe pretendime të rreme mund të përhapen shpejt dhe të arrijnë audienca shumë të mëdha.
Ky raport nxjerr në pah disa modele të vërejtura gjatë periudhës zgjedhore, duke përfshirë sondazhe të rreme, deklarata të fabrikuara që u atribuohen figurave publike, përmbajtje të ricikluar dhe mashtruese, si dhe gjithnjë e më shumë përdorimin e imazheve dhe videove të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, të dizajnuara për t’u dukur të besueshme dhe për të mashtruar”, tha Palatova.
Ndërsa, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, duke folur për fenomenin e dezinformimit gjatë proceseve zgjedhore në Kosovë, bëri të ditur se KQZ ka ndërhyrë përmes demantimeve dhe sqarimeve publike, sidomos në raste që lidhen me listën votuese dhe proceset teknike të votimit.
“Një çështje tjetër që ka qenë brenda Kosovës po tjetër që tash më kujtohet, është nëse ju kujtohet në zgjedhjet lokale në Mitrovicë që ka dalë një informacion që fletëvotimet janë ndryshuar, janë jepet kode gabimisht. Kjo ka ndodhë si pasojë e një gabimi teknik që është sqaruar më vonë nga kompania që i ka printuar këto fletëvotime dhe po ashtu ka shkuar edhe përmes ankesave. Ne i kemi dhënë sqarimet tona dhe verifikimet që kjo nuk ka ndodhë, edhe pse ka qenë e përhapur në të gjithë Kosovën por që përmes këtij gabimi është tentuar që të manipulohet edhe integriteti i vetë zgjedhjeve. Ne si KQZ para se të japim ndonjë informacion, fillimisht kemi komunikuar me kompaninë edhe kemi bërë verifikimin e të gjitha këtyre fletëvotimeve, kuti votimesh, i kemi verifikuar të gjitha votat dhe kemi konstatuar në mënyrë të saktë se ka qenë një gabim teknik dhe e kemi jep këtë raport publikisht. Por edhe kemi jep sqarime të qarta, madje edhe Gjykatës Supreme në rastin e vendimmarrjes lidhur me ankesat”, tha Radoniqi.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje në Prokurorinëë e Shtetit, Laura Pula, theksoi ndikimin e madh që kanë teknologjia dhe rrjetet sociale në përhapjen e informacionit të pasaktë gjatë proceseve zgjedhore.
“Unë kam identifikuar autorët dhe sfida më e madhe për përgjegjësinë, për përcaktimin e përgjegjësisë penale në këto raste, është përdorimi i profileve anonime të rreme në rrjetet sociale. Tjetër çka është me rëndësi për atë që merren me këto dhe fatmirësisht që kemi edhe një raport kësisoj të detajuar, është edhe përdorimi i rrjeteve private virtuale. Këto të cilat na bëjnë neve edhe më të pamundur identifikimin e personave për shkak të ndërrimit të IP-ve. Janë rrjete të koordinuara trollash pra ndër të tjera të cilat njihen edhe si krime kibernetike.
Dhe çka është më e keqe, është shpërndarja masive nga shumë përdorues pa autor gjeneral dhe pa autor të qartë. Çka na ka bërë neve gjatë zgjedhjeve që shpeshherë unë si prokurore, meqenëse kemi një bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Drejtorinë për Krimet Kibernetike në kuadër të Policisë së Kosovës, të reagojmë aty për aty kur kemi pasë mundësi që edhe këta të reagojnë menjëherë dhe ta ndalin një vepër penale apo mund të them edhe veprimtari kriminale zgjedhore.”, u shpreh Pula.
Toger Visar Pacolli nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës vuri në pah se përhapja e shpejtë e profileve anonime dhe përmbajtjeve të rreme e vështirëson identifikimin dhe ndjekjen e autorëve, duke e bërë të domosdoshëm koordinimin institucional dhe ndërhyrjen e përbashkët.
“Policia e Kosovës vazhdimisht, domethënë ne si Krime Kibernetike jemi veç një pjesë e vogël e asaj sa është Policia e Kosovës. Domethënë, ka njëra-tjetrën, aspekte të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, të cilët e bëjnë analizimin e lajmeve sa po hasen online.
Po sot, jo veç gjatë procesit zgjedhor, po jemi dëshmitarë të përditshëm të lajmeve të rrejshme ose dezinformimit. Kjo e ka vështirësuar punën tonë shumë, domethënë identifikimin e rrjeteve sociale. Nuk ka një kontroll për hapjen e profileve të ndryshme. Adresimin e këtyre profileve, qoftë prej Agjencionit të Gazetarëve të cilët janë të thirrur ose të regjistruar si gazetarë zyrtarë në atë agjencion, ose i mbrojnë të drejtat e gazetarëve.
Kjo e bën shumë të vështirë identifikimin e atyre profileve. Ne si Polici e Kosovës e kemi të pamundur vetë me i identifikuar edhe me i adresuar. Ne bashkëpunojmë ngushtë me Prokurorinë e sidomos në komplet procesin zgjedhor”, tha Pacolli.
Në përmbyllje u theksua se vetëm përmes bashkëpunimit të institucioneve, mediave dhe qytetarëve mund të forcohet rezistenca ndaj dezinformimit dhe të mbrohet integriteti i proceseve zgjedhore.








