Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për krime lufte ndaj Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, të mërkurën janë dëgjuar dy dëshmitarët e propozuar nga mbrojta, Murat Mema dhe Sami Rrustemi.
Ata thanë se i akuzuari Miloviq iu kishte ndihmuar para dhe gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Në këtë rast, Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq akuzohen se në cilësinë e pjesëtarëve të policisë serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Lutfi Shala njoftoi palët për ndërrimin e përbërjes së trupit gjykues, saktësisht gjyqtari Arben Hoti do të zëvendësojë anëtarin e trupit gjykues, gjyqtarin Valon Kurtaj pasi që ky i fundit pas një procesi të rekrutimit është avancuar në Gjykatën e Apelit.
Në seancë fillimisht u dëgjua dëshmitari Mema, i cili tha se e njihte të akuzuarin Miloviq dhe se e kishte njohur prej fëmijërisë, pasi siç u shpreh ai, kishte dyqan në qytetin e Vushtrrisë dhe për çfarëdo që kishte pasur nevojë Miloviq, kishte bërë zgjidhje tek ai.
“Këtë e njoh edhe si fmijë se e kam pas lokalin në Vushtrri, çkado që ju ka vyjt te unë kanë ba qare”, tha dëshmitari Mema.
Ndërsa, i pyetur nëse e kishte takuar ndonjëherë gjatë kohës së luftës të akuzuarin Miloviq, dëshmitari Mema e pohohi, këtë duke dhënë detaje shtesë.
“E kam taku, kam bajt mall me kerr të vogël për dugojë, e ky më ka ndihmu sdisa herë. Rrugës na ndalshin na kontrollojshin, na shtishin me zbrazë mallin e ky na ka ndihmu, kur u kanë ky nuk e kam zbrazë, kur u kanë kujdestar ky me kolegë të vet policë kurrë nuk na ka ndalë e me na kontrollu”, u shpreh dëshmitari Mema.
Mema edhe më tej tha se i akuzauar Miloviq iu kishte ndihmuar edhe duke u dhënë përparësi gjatë pritjes në radhë, si dhe ishte konfrontuar me policë të tjerë në një rast që, sipas tij, kishin për t’ia marrë veturën.
“Bile një herë kanë dashtë me ma marrë kerrrin me zor, ky është perla me ta, qëlloi aty si me pas thirrë”, tha dëshmitari.
Ndërsa, i akuzuari Miloviq nuk pati pyetje për dëshmitarin Mema, por iu drejtua duke e përshendetur.
“A je mirë, i përshendet te shpija”, iu drejtua i akuzuari dëshmitarit.
Dëshminë e tij para trupit gjykues e dha edhe dëshmitari Sami Rrustemi, i cili tha se ishte burgosur për 22 ditë ne burgun e Smrekonicës, ndërsa i akuzuari Miloviq i kishte dërguar barna për shërim, pasi sipas tij, ishte rrahur nga Zoran Vukotiqi.
“Në burgun e Smrekonicës është ardhë Dragan Miloviqi, tha a ki nevojë për diçka, i ka thanë H.H., është pak pa qejf që mundesh ndonjë tabletë me ia pru dhe pas dy dite m’i ka pru”, tha Rrustemi.
Ndërsa, i pyetur nga prokurorja speciale Florije Shamolli-Salihu nëse i akuzuari mbante uniformë në burgun e Smrekonices, dëshmitari Rrustemi e pohoi këtë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 16 maj 2024, i akuzuari Zoran Kostiq gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije dhe qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes Ujkani gjatë një aksioni të mirë-organizuar, pasi që forcat serbe ishin vendosur në shtëpinë e Sh.Z, të cilën policia dhe ushtria serbe e ka shfrytëzuar si shtab, ditën kritike në ofensivën e ushtrisë serbe kundër popullatës civile.