Në natën kritike të 24 shtatorit 2023, ishte në krye të patrullës policore që rastisi në bllokadën me kamionë, tek ura në Banjskë të Zveçanit.
Kontrolli i kësaj pike, do të shënonte më pas nisjen e sulmit terrorist, në krye të së cilit ishte Milan Radojiçiq.
Zyrtari policor nga Njësia për Reagim të Shpejtë, Mirsad Kryeziu, rrëfeu në gjykatë se si ndodhi sulmi i terroristëve, që rezultoi me vrasjen e rreshterit, Afrim Bunjaku.
Sipas Kryeziut, ai ishte duke tentuar t’i largojë kamionët nga rruga, në momentin kur filluan sulmet.
“Kam hip në kamionë dhe posa jam ulur kam dëgjuar një shpërthim, një detonim dhe gjuajtje në drejtim tonin. Unë menjëherë jam larguar nga kamioni dhe kam shkuar tek policët e tjerë. Gjatë shkuarjes aty, kam vërejt se njëri prej nesh, rreshteri Afrim Bunjaku, ishte i shtrirë në tokë, i mbuluar pothuajse i tëri në gjak”, ka thënë ai.
Kryeziu, tregoi se ndihma ndaj Bunjakut, ishte e pamundur shkaku i sulmeve të pandërprera.
“Plaga më e madhe e tij ishte në fyt dhe kishte gjakderdhje të madhe. Iu afrova dhe ishte e pamundur të bëja ndaljen e gjakderdhjes apo të jepja një ndihmë, pasi gjuajtjes ndaj nesh ishin të pareshtuara, të kalibrave të ndryshme. Kam filluar të shtie në drejtim të sulmuesve dhe gjatë gjuajtjes timë me armë, filluan edhe kolegët e tjerë të shtien në drejtim të pozicioneve të tyre”, ishte dëshmia e Kryeziut.
Përkundër vështirësive, pas rreth 30-40 minutave, policët kishin arritur që trupin e rreshterit Bunjaku ta vendosnin në një veturë dhe të niseshin në drejtim të Spitalit Rajonal të Mitrovicës.
“Pastaj jam nis për në Mitrovicë, ku më kanë goditur në vazhdimësi, ku si pasojë i kanë ra gomat veturës. Për shkak të veturës së dëmtuar, nuk mundja të vozisja me shpejtësi, kur kemi arritur në Spital aty mjekët me treguan se rreshteri Bunjaku ka vdekur”, ka treguar ai.
Nga këto sulme, lëndime kishte pësuar edhe vet polici Kryeziu.
“Gjatë sulmit mes datave 23 dhe 24 shtator, lëndimet e mia kanë qenë gjatë tërheqjes së rreshterit Bunjaku, për shkak të sulmit qe janë bërë nga grupi. Më saktësisht dëmtimet që kam pasur kanë qenë në gju, e normalisht edhe traumat psiqike, siç janë gjatë breshërive të plumbave”, ka thënë Kryeziu.
Kryeziu i cili nga viti 2002 është pjesëtarë i njësive speciale të Policisë së Kosovës, para trupit gjykues, tha se sulmi i Banjskës ishte i përgatitur aq mirë, saqë edhe vendi ishte zgjedhur në atë mënyrë që sulmuesve t’u mundësohej ika nga vendi i ngjarjes.
“Ky grup ka qenë i strukturar jashtëzakonisht mirë dhe i dirigjuar jashtëzakonisht mirë nga struktura ushtarake, pozicioni i tyre ka qenë i favorshëm për sulm ndaj patrullave të policisë. Nuk është rastësisht i organizuar në Banjskë, për shkak të manastirit ku e kanë përdorur si mbrojtje, atë ditë kishte ehde pelegrinë që i përdorën si mbrojtje. Ishte e qartë që prapa tyre kishin hapësirë, që në rast të mossuksesit, të kenë një rrugë për t’u larguar”, ka thënë ai ndër të tjera gjatë dëshmisë së tij.
Në gjyqin ndaj Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, gjatë kësaj jave do të dëgjohen edhe disa zyrtarë tjerë policorë që ishin përballur me grupin terrorist në Banjskë.