Ai ka thënë se kjo kërkesë është paraqitur në emër të subjektit politik Iniciativa Qytetare Mitrovica.
“Deri më sot, në orën 16:00, pra e premte 18 nëntor, KQZ-ja ka pranuar 1 kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Kjo kërkesë është paraqitur në emër të subjektit politik Iniciativa Qytetare Mitrovica. Pra, ky subjekt politik ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje vetëm në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, ka njoftuar Elezi, transmeton teve1.info.
Më tej ai ka thënë se afat i fundit për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje është 21 nëntori.
“Afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje ka filluar më 15 nëntor dhe do të përfundojë më 21 nëntor 2022. Pra, të gjitha subjektet politike (partitë politike, kandidatët e pavarur, koalicionet dhe iniciativat qytetare) të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna kërkesat për certifikim duhet t’i dorëzojnë në KQZ, përkatësisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), gjatë orarit të punës nga ora 08:00 deri në orën 16:00”, ka përfunduar Elezi.
Më 18 dhjetor qytetarët në pjesën veriore të Kosovës do t’i nënshtrohen procesit zgjedhor për kryetar komune në Zubin Putok, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zveçan.
Këto komuna do t’i nënshtrohen procesit zgjedhor pasi kryetarët e këtyre komunave kanë dhënë dorëheqje pas vendimit të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës si protestë ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS (Republika e Kosovës). /teve.info/