Deputeti shqiptar nga Hamburgu, Sami Musa, është shprehur i lumtur që Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, ka miratuar liberalizimin e vizave në mënyrë unanime për qytetarët e Kosovës.
Musa ka vlerësuar që ky është një vendim i vonuar, derisa ka shtuar që do jetë gjithmonë i angazhuar në çështjet që ndërlidhen me Kosovën.
“Jashtëzakonisht i lumtur me vendimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, i cili në mënyrë unanime miratoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Një vendim shumë i vonuar, por i merituar! Unë, si deputet i vetëm në Parlamentin e Hamburgut me origjinë nga Kosova, e kam ndjerë detyrim të angazhohem në këtë drejtim. Unë, Sami Musa, deputet në Hamburg të Gjermanisë, do jem gjithmonë i angazhuar ne çështjet që ndërlidhen me Kosovën, do të jem zëri i saj kudo dhe kurdoherë!”, ka thënë Musa.
Njëherit, ai ka uruar që ky proces të përmbyllet sa më shpejt dhe qytetarët e Kosovës të ndihen njësoj si qytetarët e tjerë të Evropës, përcjell teve1.info.
“Falënderoj të gjithë për punën e bërë në çdo lloj forme dhe mbështetje. Jam i gëzuar që më në fund gjithçka u mbyll me sukses dhe edhe qytetarët e Kosovës do lëvizin të lirshëm në të gjithë Zonën Shengen. Suksese Kosovë”, ka shkruar Musa tutje./teve1.info/.
https://teve1.info/lajmet/liberalizimi-i-vizave-votohet-edhe-nga-keshilli-i-ministrave-te-be-se/