Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, e ka cilësuar shqetësues angazhimin e njerëzve të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje në Presidencë, duke thënë se kjo mund t’ia vështirësojë punën presidentes së sapozgjedhur, Justina Shiroka-Pula.
Për KosovaPress, Rrahmani ka deklaruar se, sipas tij, personat e angazhuar në Presidencë do të veprojnë në koordinim me Lëvizjen Vetëvendosje dhe strukturat e saj.
Pas marrjes së detyrës si presidente, Shiroka-Pulën e ka shoqëruar ish-shefja e stafit të Albulena Haxhiut, Berita Abazi. Ende nuk dihet nëse kjo është fazë tranzicionale apo nëse bëhet fjalë për emërime në kuadër të kabinetit të saj të ri.
Ai ka pretenduar se kryeministri Albin Kurti dërgon njerëz në Presidencë për të marrë informacione për zhvillimet dhe lëvizjet brenda këtij institucioni.
“Po shohim që qysh nga dje ka filluar me i instaluar njerëzit e pushtetit në Presidencë, dhe kjo është jashtëzakonisht shqetësuese për mendimin tim… Nuk mendoj që i bën nder as presidentes e as situatës politike me vendos njerëz të tillë partiakë në Presidencë, që dihet që ata i shërbejnë dhe janë të dërguar prej këtij pushteti… Ajo çka po du me thënë unë është që Albin Kurti, tu qenë që nuk i beson asnjë personi, përveç vetes së tij, ai çon njerëz për të marrë informacione dhe të paktën kontrollin e informimin për gjithçka çfarë ndodh, qoftë edhe lëvizjeve më të vogla që janë në Presidencë… Për mendimin tim është gabim, edhe është gabim sepse do t’ia vështirësojnë jashtëzakonisht asaj në punë. Sepse asnjë veprim ata njerëz nuk do ta kryejnë pa miratim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe strukturave të tyre. Kështu që, sado që ajo angazhon njerëz të cilët kanë lidhje me pushtetin, duhet me e ditë që do të jetë e varur prej tyre edhe në sabotimin, edhe në orientimin e krejt agjendave të cilat mundet me i pasë. Kështu që, për këtë arsye mendoj që ajo do të duhej me i pasë njerëz të cilëve u beson, njerëz të cilët i njeh, që ka bashkëpunuar me ta, që ka ecë me ta, domethënë ajo ka një karrierë shumë të gjatë profesionale”, tha ai.
Megjithatë, deputeti i PDK-së deklaron se nuk ndihet pishman që ka votuar për Justina Shiroka-Pulën presidente, mesnatën e 6 tetorit.
Sipas tij, vendimi nuk ka qenë i lehtë, por njohja e figurës së Shiroka-Pulës si ish-zyrtare e PDK-së ka ndikuar në këtë proces.
Duke treguar detaje nga momenti kur vendosën ta mbështesin presidenten e re, Rrahmani ka pretenduar gjithashtu se propozimi i Shiroka-Pulës ka qenë taktikë e kryeministrit Albin Kurti për ta përçarë PDK-në, ashtu siç, sipas tij, kishte ndodhur me LDK-në, me propozimin e Bekim Sejdiut.
Ai ka thënë se Kurti, gjatë diskutimeve me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, ka tentuar të krijojë pasiguri duke i thënë se nuk i ka 22 deputetë me vete.
“Jo, nuk ka pasur asnjë vlerësim kundër figurës së zonjës Shiroka. Në aspektin e vlerësimit edhe karrierës së saj, ka pasur diskutime rreth procesit edhe rreth mënyrës e veprimeve të këtij pushteti, për shkak se nuk ka asnjë lloj besimi te ky pushtet, që ka qëllime të mira edhe në raport me Specialen, edhe në raport me vendin në përgjithësi. Për këto është diskutuar, është analizuar goxha gjatë, nuk ka qenë i lehtë vendimi, por ka qenë një lehtësim për shkak se e ka njohur figurën e zonjës Shiroka… Propozimi i zonjës Shiroka, unë besoj edhe vazhdoj me besu që ka qenë taktikë e tij për me e përça edhe PDK-në, në mënyrën çka ka ndodhë me LDK-në. Për shkak se informatorët të cilët kësaj radhe i kanë rezultuar që të jenë jo të saktë… Ka menduar që do ta përçajë edhe Partinë Demokratike, edhe në diskutimet të cilat i ka pasur, secilën herë zoti Kurti ka provuar ta mbjellë një frikë te zoti Hamza, duke i kërkuar që ti s’i ke 22 deputetë me vete”, deklaroi ai.
Duke folur për ligjin që synon ndryshimet lidhur me Gjykatën Speciale pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, Rrahmani ka thënë se PDK-ja beson se ai është hartuar në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
Ai ka theksuar se qëllimi i ligjit, sipas tij, është të adresojë atë që e konsideron padrejtësi ndaj popullit shqiptar dhe luftës çlirimtare.
“Të drejtat janë në kuadër të legjislacionit edhe të Kushtetutës të secilit për me e marrë çështjen e interpretimit edhe çështjen e shikimit të rregullsisë së këtij ligji. Por ne besojmë që është një ligj i rregulluar mirë. Absolutisht që, në bazë të ekspertëve ligjorë, ata të cilët janë marrë me hartimin e këtij ligji në Partinë Demokratike, deklarimi i tyre është që nuk ka hapësirë, edhe natyrisht që nuk iniciojmë diçka e cila është kundërkushtetuese ose çfarëdo qoftë ajo… Qëllimi i këtij ligji është me e kthyer drejtësinë në vend në një padrejtësi të madhe që i është bërë popullit shqiptar dhe luftës çlirimtare, kështu që nuk mund të kemi veprime të qëllimshme të dëmtimit të një procesi… Nuk mundet me u konstatua si antikushtetues një institucion siç është një Dhomë Kushtetuese brenda Gjykatës Speciale, sepse për ligjet është vetëm Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ajo e cila mundet me vlerësua se a janë kushtetuese apo jo. Mirëpo, ajo mundet me bë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës për me e pa interpretimin rreth kushtetutshmërisë së saj”, shtoi Rrahmani.
Deputeti i PDK-së ka kërkuar që protestat në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të vazhdojnë, duke vlerësuar se presioni publik duhet të jetë i vazhdueshëm.
Ai ka kritikuar pushtetin për atë që e ka cilësuar mungesë angazhimi gjatë gjashtë vjetëve për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Rrahmani ka thënë se institucionet është dashur të fillonin që në ditën e parë të formimit të institucioneve ndërtimin e një strategjie kombëtare për kthimin e drejtësisë në këtë proces.
Sipas tij, pa presionin publik, pushteti nuk do të angazhohet në këtë drejtim.
“Nuk mendoj që duhet të shuhen protestat për shkak që ka procese të cilat janë në vazhdimësi edhe nuk duhet të ndalemi. Unë besoj që ky pushtet, meqë nuk ka pasur asnjë angazhim për gjashtë vite për me i mbrojtur çlirimtarët në Hagë, vështirë që do të ketë edhe tash e tutje në qoftë se ndalet presioni publik edhe në qoftë se ndalen protestat. Prandaj, unë besoj që protestat duhet me vazhdu, duhet me pasë organizime edhe presioni duhet të jetë i vazhdueshëm, madje shumë më i madh sesa ai që ka qenë… Unë po them që është dashur që ditën e parë të konstituimit të institucioneve të takohen edhe të fillojnë ndërtimin e strategjisë kombëtare për kthimin e drejtësisë në këtë proces. Çdo ditë që vonohemi, jemi vonë. Unë edhe prej këtu ju bëj thirrje që sa më shpejt të fillojnë edhe të angazhohen, por unë dyshoj në angazhimin, po e them edhe një herë, të këtij pushteti, pa mekanizmin e presionit, sepse u pa që ky pushtet merr vesh veç me protesta në shesh. Nuk ka marrë vesh për asnjë temë pa pasur reagim të masave”, përfundoi ai.
Më 6 tetor është miratuar në lexim të dytë Projektligji me ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara.




