Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari Kastriot Blakaj është dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 24 muaj burgim me kusht, për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Aktgjykimi në fjalë, u shpall të hënën, nga gjykatësi Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, bashkë me Blakajn akuzohet edhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkumbin Gashi dhe pesë të tjerë.
Sipas këtij aktgjykimi, për veprën penale “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit”, Blakaj u dënua me 20 muaj burgim, ndërsa për veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”, u dënua me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 12 muaj.
Ndaj tij, u shqiptua dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 24 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale gjatë periudhës verifikuese prej dy vite.
Sipas gjykatësit Konxheli, gjykata në bazë të marrëveshjes për pranim të fajësisë, nuk do t’i shqiptojë të akuzuarit dënim plotësues.
Blakaj, po ashtu u obligua që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 euro dhe 100 euro tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.
Palët kanë hequr dorë nga e drejta e ankesës.
Ndryshe, në seancën e shqyrtimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë, të mbajtur në të njëjtën ditë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykatësi Konxheli ka thënë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe i akuzuari Blakaj, kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë, marrëveshje kjo e datës 2 maj 2023.
Lidhur me këtë, prokurori special Ilir Morina, ka thënë se PSRK-ja pas plotësimit të kushteve ligjore për pranimin e fajësisë dhe pas konsultimit me kryeprokurorin Blerim Isufaj, kanë arritur marrëveshjen më 2 maj 2023.
Sipas prokurorit Morina, i akuzuari Blakaj ka pranuar fajësinë për dy veprat penale si në aktakuzë dhe se palët janë pajtuar për dënimin e rekomanduar.







