Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në seancën e së enjtes janë deklaruar të pafajshëm të akuzuarit Besart Veselaj, Ernes Beqiri, Argjend Hoti dhe Altin Salihu, lidhur me akuzën për shtytje në kryerjen e veprave terroriste dhe armëmbajtje pa leje. Në këtë seancë u dha fjala hyrëse e palëve, ndërsa u propozua dëgjimi i ekspertit të forenzikës digjitale.
Të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm edhe seancën fillestare të mbajtur më 4 mars 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas deklarimit të të akuzuarve lidhur me akuzën, seanca e së enjtes vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse nga palët në këtë procedurë,
Prokurori special, Atdhe Dema deklaroi se nga provat që do të administrohen në këtë shqyrtim gjyqësor, do të vërtetohet se të akuzuarit në bashkëveprim dhe në vazjdimësi kanë organizuar dhe shpërndarë materiale propaganduese me përmbajtje ekstremiste, duke promovuar ideologjinë e organizatës “ISIS” përmes fotografive, video-inczimeve dhe materialeve të përkthyera dhe modifikuara për publikun në rrjete sociale dhe platforma elektronike.
Prokurori Dema theksoi se përmes provave që ka kjo Prokurori nga raportet forenzike, dëshmive materiale si CD me përmbajtje që janë sekuestruar, do të rezultojë që veprimet e të akuzuarve nuk kanë qenë të rastësishme, duke vërtetuar fajësinë e të akuzuarve.
Në fjalën hyrëse, mbrojtësja e të akuzuarit Veselaj, avokatja Sabrije Jashari deklaroi se në këtë rast nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se i mbrojturi i saj ka kryer vepër penale dhe me asnjë nga provat në shkresat e lëndes nuk do të vërtetohet fajësia e tij.
Mbrojtësi i të akuzuarit Beqiri, avokati Asdren Bytyqi deklaroi se nga materiali provues nuk përmbushen elementet ligjore të veprës penale për të mbrojturin e tij, duke theksuar se nuk ka prova që do të prodhonin rrezik real për nxitjen e veprave penale terroriste.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Hoti, avokati Valon Jupa deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk ka qenë pjesë e xhirimeve, duke shtuar se as fytyra dhe as zëri i tij nuk janë në ato materiale.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Salihu, avokati Visar Haxhibeqiri theksoi se mbrojtja pas analizimit të aktakuzës vlerëson se për të mbrojturin e tij ekziston vetëm një fotografi, e cila nuk ka asnjë shenjë të organizatës terroriste, duke thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.
Në radhën e administrimit të provave materiale, prokurori Dema deklaroi se mbesin në tërësi pranë provave të propozuara në aktakuzë, ndërsa mbrojtja njëzëri i kundërshtuan ato.
Avokati Bytyqi kërkoi individualizimin e veprimeve të secilit të akuzuar pasi sipas dispozitivit, tha se veprimet janë të përgjithësuara, ndërsa prokurori theksoi se në prova janë identifikuar me emra secili i akuzuar.
Ndërsa, avokati Jupa propozoi dëgjimin e ekspertit të forenzikës digjitale, i cili ka përpiluar raportin e ekzaminimit të telefonit për të mbrojturin e tij.
Pas marrjes së mendimit të prokurorit, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Avni Syla mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimin për dëgjimin e ekspertit të forenzikës digjitale.
Ndryshe, në këtë rast po akuzohej edhe Liridon Beqiri i cili kishe pranuar fajsinë dhe për të ishte veçuar procedura.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Beqirin e kishte dënuar me 2 vite burgim për shtytje në kryerje të veprave terroriste dhe 3 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje. Por, Gjykata e Apelit për shtytje në terrorizëm e dënoi Beqirin me një vit burgim, kurse për armëmbajtje pa leje ia vërtetoi dënimin.
Sipas aktakuzës së ngritur më 24 janar 2024, thuhet se të akuzuarit Liridon Beqiri, Besart Veselaj, Ernes Beqiri, Argjend Hoti dhe Altin Salihu, nga periudha e panjohur kohore e në vazhdimësi në bashkëkryerje, kanë shpërndarë dhe mundësuar përcjelljen e mesazheve te personat tjerë në kryerjen e akteve terroriste.
Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprave terroriste” nga neni 134 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të akuzuarit Liridon Beqiri dhe Besart Veselaj prej datës të pavërtetuar e në vazhdimësi, kanë mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar armët në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm.
Me këtë, të akuzuarit secili veç e veç sipas aktakuzës kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.









