Hapja e konsullatës serbe në Shkodër nuk rrezikon sovranitetin e Shqipërisë, deklaron ministri i Jashtëm Ferit Hoxha.
Pas debatit për dakordësinë mes dy palëve Serbi Shqipëri, ministri flet në një intervistë për Top Channel, pa u tërhequr nga kjo iniciativë diplomatike.
Ai thotë se asnjë shtet nuk do të lejonte një prani diplomatike që cenon e kërcënon interesat e vendit.
“Hapja e një konsullate, nuk i jep shtetit dërgues asnjë lloj pushteti apo, akoma më pak, ndonjë lloj sovraniteti mbi qytetin, territorin apo popullsinë ku ajo vendoset. Vendndodhja, klasa, juridiksioni dhe funksionimi i çdo pranie diplomatike që vepron në territorin e Republikës së Shqipërisë bëhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar por edhe me ligjet dhe rregullat shqiptare”, u shpreh ministri.
Kërkesa e Shqipërisë për një përfaqësim në Bujanoc ka qenë një objektiv i hershëm i politikës së jashtme. Për ministrin Hoxha, ky angazhim me Serbinë nuk ndryshon kurrsesi qëndrimin dhe mbështetjen ndaj Kosovës.
“Angazhimi diplomatik me Serbinë nuk nënkupton në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë pandjeshmëri ndaj Kosovës, aq më pak relativizim të politikës së Beogradit ndaj saj. Qëndrimi i Shqipërisë për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial, mëvetësinë dhe zhvillimin si dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe mbështetjen e pakursyer të shtetit shqiptar, ka qenë dhe mbetet i qartë, i qëndrueshëm dhe i pandryshueshëm”, shprehet Hoxha.
“Kushdo që pretendon se Shqipëria duhet ta hapë Konsullatën e saj në Serbi, por pa pranuar që Serbia të ketë të njëjtën mundësi në Shqipëri, nuk propozon një zgjidhje reale dhe flet në hava. Një qasje e tillë mund të tingëllojë patriotike në rrjetet sociale, por nuk prodhon asnjë rezultat konkret për shqiptarët e Luginës. Në rastin më të mirë, ajo dëshmon një mosnjohje të thellë të mënyrës se si funksionojnë diplomacia dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Në rastin më të keq, ajo është një përpjekje e vetëdijshme për të penguar një objektiv që i shërben drejtpërdrejt interesit kombëtar”, shton më tej ai.
Ministri Hoxha shpjegon se madhësia e komunitetit jashtë kufijve nuk është arsyeja e vetme për hapjen e një konsullate, por vendimi bazohet edhe në çështje ekonomike, kulturore, turistike apo interesash strategjikë. Me këtë argument ai kundërshton kritikat që thonë se shqiptarët e Luginës dhe serbët e Shkodrës janë të barabartë.
“Unë kam detyrimin të mbroj interesat e Shqipërisë. Serbia, ashtu si çdo shtet tjetër, bën të njëjtën gjë për interesat e saj. Ajo nuk përcakton interesat tona, as ne nuk përcaktojmë të sajat. ne nuk po vendosim kurrfarë shenje barazimi ndërmjet shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe qytetarëve shqiptarë me kombësi serbe që jetojnë në qarkun e Shkodrës. Përkundrazi, vetë disproporcioni numerik tregon qartë se nga anon interesi praktik dhe i vërtetë”, thekson ministri Ferit Hoxha.







