Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, gjatë seancës së Kuvendit, ka kritikuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke e akuzuar për arrogancë dhe mungesë të llogaridhënies ndaj deputetëve.
Ajo tha se në vend se të përgjigjet për problemet në sektorin e energjisë, ministrja po u referohet ngjarjeve të para shtatë vjetëve.
Musliu theksoi se deputetët kanë për detyrë ta mbikëqyrin Qeverinë dhe të kërkojnë llogaridhënie.
“Arroganca nuk duhet asnjëherë, asnjëherë ta zëvendësojë llogaridhënien. Asnjëherë arroganca nuk duhet ta justifikojë paaftësinë menaxheriale dhe asnjëherë arroganca nuk duhet ta justifikojë llogaridhënien ndaj këtij Kuvendi. Deputetët e këtij Kuvendi e kanë detyrë, domethënë përshkrimi i detyrave të deputetëve është kërkimi i llogaridhënies ose mbikëqyrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Musliu.
Ajo më tej iu drejtua Rizvanollit duke thënë se nuk ka dalë në Kuvend për të diskutuar se nga kush blihet energjia elektrike, por për të marrë përgjigje nëse qytetarët do të kenë furnizim të rregullt dhe nëse ka mundësi të ulet çmimi i rrymës.
“E nderuara ministre, vjedhni sa të mundeni. Unë s’kam dalë me ju thënë mos vjedhni këtu. Sot, muni vjedhni. Unë s’kam dalë sot këtu me gjykue prej kujt na blen ti rrymë, prej kujt duhesh me ble rrymë. Ajo çka unë të thashë ty sot, e çka kërkoj prej teje përgjigje sot është a kanë me pas qytetarët rrymë dhe a ka mundësi me u lirua pak rryma se s’mundet me u paguar? Kjo është pyetja konkrete që ti duhesh me u përgjigj sot e që qytetarët presin përgjigje”, tha Musliu.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i është përgjigjur deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, lidhur me furnizimin me energji elektrike, çmimin e rrymës dhe mundësinë e reduktimeve.
Rizvanolli tha se energjinë elektrike nuk e blen as ajo dhe as Qeveria, por KESCO dhe KEDS, kompani që sipas saj janë privatizuar nga qeverisjet e kaluara.
“Unë nuk blej rrymë, as Qeveria. Blen KESCO dhe KEDS, të cilën ju e keni privatizuar. E di që nuk po doni me e dëgjue dhe e di që nuk po doni me u kthye mbrapa, mirëpo meqë po doni me fol edhe për rregullsinë e furnizimit, edhe për cilësinë e rrjetit, edhe për kush blen rrymë, po ju tregoj kush blen rrymë edhe pse blen ata rrymë sot e ju KEK-u, me ç’rast kishit mund me më pyet në mënyrë indirekte. Sa i përket kësaj që, prapë sa i përket reduktimeve, unë nuk di që ka të lajmëruara reduktime. Sido që të jetë, në qoftë se keni ankesa, duhet t’i drejtoheni ZRRE-së, Zyrës për Ankesa për Konsumator, ndërsa Zyrën e Rregullatorit për Energji e mbikëqyrni ju si Kuvend, meqë po doni me më përkujtuar se ju jeni deputetë të Republikës së Kosovës. Për çfarë, unë kam respektin ndaj secilit prej jush për pozitën që e keni”, tha Rizvanolli.
Sa i përket muajve në vijim, ministrja Rizvanolli tha se nuk pritet të jenë të lehtë, por se institucionet do të bëjnë maksimumin për të siguruar furnizimin me energji elektrike.
“Sa i përket muajve në vijim, siç edhe e thashë, nuk dua të them se do të jenë të lehtë. Çfarë mund të them është që ne do të bëjmë maksimumin edhe për sigurinë e furnizimit, edhe për çdo aspekt tjetër, siç e kemi bërë deri më tani dhe siç jemi përballur me çdo krizë deri më tani”, tha Rizvanolli.




