1 mijë e 489 vota ia ka shtuar një kandidati, e arrestuara për manipulim me vota në Malishevë.
F.K është në mesin e tetë personave për të cilët është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore e Gjakovës.
Sipas kërkesës së siguruar nga Tëvë1, ajo ka keqpërdorur funksionin duke ia hequr një mijë e 85 vota kandidatëve tjerë për deputetë.
“Nga data 29.12.2025 deri më 01.01.2026 në Qendrën Komunale të Numërimit e vendosur në palestrën e sporteve ‘Habib Zogaj’, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 28.12.2025 në bashkëkryerje F.K në cilësinë e kryesueses së komisionit për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë në pesë komisione për numërimin e votave, me autorizimet e marra nga KQZ shton dhe heq votat e kandidatëve për deputetë”, thuhet në kërkesën për paraburgim.
Shifër gati se të njëjtë të manipulimit, ka bërë edhe i pandehuri E.H në cilësin e kryesuesit të komisionit për numërimin e votave të kandidatëve në shtatë komisione.
“Shton dhe heq votat e kandidatëve për deputet në atë mënyrë që në qendrën komunale të numërimit dhe atë në vendvotimet 3001/4, 3005/02, 3009/01, 3016/02, 3020/02, 3029/01 ka keqpërdorur një mijë e 98 vota duke ja shtuar kandidatëve për deputetë si dhe 832 vota duke ia hequr kandidatëve për deputetë me të cilat veprime falsifikon votën apo rezultatet e zgjedhjeve”, thuhet nga Prokuroria.
Avokati i njëri nga të akuzuarit tjerë, thotë se pretendimet e Prokurorisë janë të pabazuara dhe kanë mungesë provash.
“Ka qenë baza se ekziston dyshimi i bazuar se është në bashkëkryerje mirëpo ne si e kemi kundërshtuar për shkak se Prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë apo emrat e personave që me kënd e kanë kryer në bashkëkryerje këtë vepër penale, faktikisht është vetëm vepra penale në bashkëkryerje nga neni 216 paragraf 2 lidhur me nenin 31 të KRPP-së, por çuditërisht Prokuroria nuk e cek se kush janë këta persona që i mbrojturi im e ka kryer në bashkëkryerje”, thotë avokati Prekë Kola.
Megjithatë, shton se i akuzuari ka pranuar se mund të ketë bërë lëshime teknike.
”Është e mundshme që gjatë vendosjes të rezultateve në ueb-faqe ka mujtë me iu përvjedhë gabime teknike apo ka mujtë mos me dëgju kur ia kanë referuar rezultatin anëtarët tjerë, po ashtu ka mund me qenë për shkak të lodhjes, për shkak të presionit të kryhen më shpejt, të bëhet rinumërimi i votave dmth këtu ka qenë ndonjë gabim që ka mujtë me u përvjedhë, por jo diçka e gabimshme, tendencioze”, shprehet ai.
Gjatë ditës Prokuroria Themelore e Prizrenit njoftoi se kanë vazhduar hetimet e zgjeruara edhe ndaj personave tjerë si vazhdimësi e hetimeve paraprake që çuan në arrestimin e mbi 100 personave.






